Gjatë vizitës së tij në Prishtinë, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, u prit nga emra të njohur të politikës dhe qeverisjes kosovare. Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa ishte njëri ndër ta, të cilit Veliaj i shprehu dëshirën e bashkëpunimit të mëtejshëm dhe e njohu mbi zhvillimet më të fundit në Tiranë.

Në takimin me kreun e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, Veliaj u ndal tek nisma e Unionit të Bashkive Shqiptare me takimin e parë të përbashkët në prag të Ditës së Pavarësisë si dhe maratonën e Tiranës, duke e ftuar edhe atë të jetë pjesëmarrës.

“Në datat 26-27 Nëntor, përpara Ditës së Pavarësisë, me 5 bashkitë shqiptare më të rëndësishme në rajon, do të përfshijmë edhe të gjithë anëtarët e këshillave bashkiakë, sepse besojmë që përtej kryetarëve, që kanë një mandat, forcat politike që ata përfaqësojnë do të jenë gjithmonë aty”, tha Veliaj.

Ndër ndalesat e tjera ishte edhe takimi me ministrin e Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj si dhe Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli. Gjithashtu, së bashku me homologun e tij prishtinas, Shpend Ahmeti, përuruan dy vepra në shërbim të qytetarëve të Prishtinës.

Top Channel