Në një botë të munduar gjithmonë e më shumë nga kërcënimi i obezitetit, njerëzit kanë nisur t’i shikojnë më me kujdes ushqimet që zgjedhin të hanë.

E në jo pak raste, kjo nënkupton të heqësh dorë nga tradita, ose të përpiqesh ta tjetërsosh në të mirë të organizmit. Kështu ndodhi edhe më minikekët me fruta të Kinës, ëmbëlsirat që nuk mungojnë asnjëherë në Festivalin e Vjeshtës.

Sheqeri u hidhet atyre pa kursim, yndyra po ashtu, mbushjet me bazë frutat janë tunduese e sigurisht, bashkë me shijen, vijnë edhe kaloritë pa hesap. Për këtë arsye, Shina Shimizu, shefi i kuzhinës në restorantin “Sesame Kitchen” në Hong Kong, vendosi të krijojë një version shumë më të lehtë të minikekut klasik, duke përdorur përbërës si qumështi i kokosit apo farat e susanit.

“Ky është një trend që sa vjen e po rritet sepse njerëzit janë duke kërkuar gjithmonë e më shumë opsionet më të shëndetshme të ushqimeve që konsumojnë. Të mos harrojmë pastaj se sa vjen e po shtohet edhe numri i atyre që vuajnë nga intolerancat ushqimore dhe varianti i vjetër i minikekëve me fruta është padyshim, tepër i rëndë dhe nuk bën mirë për shëndetin”, shprehet Shimizu.

Qeveria e Hong Kongut nxori këtë vit një deklaratë ku i kujtonte njerëzve se duhet të mbajnë një dietë ushqimore sa më të ekuilibruar e ku tërhiqte në mënyrë të veçantë vëmendjen tek minikekët e festës, të konsideruara si “bomba kalorike”.

Top Channel