Dule: Tahiri dhe Rama të përgjigjen për fenomenin e narkotikëve

15/09/2016 00:00

Kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule, duke marrë fjalën në Parlament ka shprehur shqetësimin e tij për fenomenin e kultivimit të kanabisit dhe ndikimin e përfolur të tij në zgjedhjet lokale të Dibrës.

Dule ka theksuar se institucionet, qendrore dhe vendore, duhet të mbajnë përgjegjësi për situatën dhe madje të japin llogari.

“Ku është pushteti vendor? Kemi përgjegjësi! Zoti kryeministër, zoti ministër na thoni si arritëm në këtë situatë dhe si janë ndarë përgjegjësitë. Vendet fqinje kanë bllokuar sasira më të mëdha se çdo vit tjetër, ndërsa ju thoni se keni shkatërruar sasi më të mëdha se çdo vit tjetër. Çfarë po ndodh? Nuk ishit të përgatitur për këtë situatë? I keni toleruar? Apo, më keq, keni bashkëpunuar për kultivimin?”, ka thënë Dule, i cili nuk i ka kursyer tonet kritike në adresë të ministrit të Brendshëm dhe vetë kryeministrit.

“Zoti ministër, thuhet se ju shkatërroni plantacionet pasi është bërë vjelja e parë, që është dhe më cilësorja, ose pasi janë prishur pazaret. Nuk keni pse na e ktheni hipokrizinë në sistem vetëm prej kryeministrit”, ka thënë Dule.

“Ne kemi një kryeministër që këshillon amerikanët për kandidatin për president, që u sugjeron britanikëve për Brexit. Si nuk flet asnjëherë në takimet e tij për këtë fenomen, që shkatërron familjen dhe shoqërinë?”, ka vijuar kreu i PBDNJ-së.

Sipas tij, dy janë fenomenet që diskutojnë shqiptarët sot, narkotikët dhe largimi nga vendi, që sipas tij po e kthejnë vendin në një republikë kaukaziane ose latine.

“A është efekti i narkotikëve në diferencën spektakolare të zgjedhjeve në Dibër? Unë ndihem humbës si politikan dhe si kryetar i një force politike. Pse? Të gjithë ata njerëz që e shitën votën kanë një arsye madhore, vota dhe demokracia nuk është më çështje për ta. Ua kemi imponuar ne me varfërinë dhe skamjen. I intereson vetëm buka e përditshme”, ka shtuar Dule.

Top Channel