VV: Shteti gjysmëautoritar kremton për demokracinë

15/09/2016 00:00

Lëvizja Vetëvendosje, në Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë, theksoi se nuk mund të jetë demokratik një shtet që arreston deputetët. Vetëvendosje thekson se demokracia është hapësira dhe përmbajtja që u garanton të drejta, barazi dhe mirëqenie qytetarëve, ndërkaq, sipas tyre, të tria këto, po mungojnë në Kosovë.

“Nuk mund të jetë demokratik shteti që arreston deputetët. Nuk mund të jetë demokratik shteti që persekuton qytetarët dhe që e lufton opozitën. Në Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë, ky pushtet që ironikisht, ligjërimin e ka të mbushur me fraza mbi demokracinë, përparimin, prosperitetin, mendimin ndryshe, ka arrestuar për 12 muaj më shumë se 400 aktivistë vetëm pse mendojnë ndryshe nga qeveria. Aktivistët e arrestuar, në shumicën e rasteve janë rrahur brutalisht për kundërshtimin e projekteve që donin të kalonin pa pikë transparence”, thuhet në komunikatën e lëvizjes Vetëvendosje.

“Në raportin e fundit të organizatës “Freedom House” ku flitet për Kosovën, shteti jonë zë vendin më të keq në Ballkan. Ai cilësohet si gjysmëautoritar. Strukturat qeveritare, thuhet aty, të ndërtuara për të mbajtur paqen, janë duke penguar përparimin. Nuk mund të ketë përparim me shtet të kapur. Nuk mund të ketë zhvillim me klanin mafioz Pronto”, thuhet në komunikatë.

Kjo lëvizje thekson se demokracia do të triumfojë vetëm me zërin e qytetarëve të vendosur, sikur në protestat kundër “Zajednicë” dhe kundër marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi.

Top Channel