Britania dhe Argjentina, marrëveshje historike për Falklands

15/09/2016 00:00

Britania dhe Argjentina duket se kanë gjetur gjuhën e përbashkët për të hequr gjithë kufizimet që kanë të bëjnë me industrinë e naftës dhe gazit, të konfirmuar tashmë në rezerva mjaft të mëdha në ujrat përreth ishujve të debatueshëm Falklands, për të cilat të dyja vendet u përfshinë në konflikt të armatosur dekada më parë.

Zyrtarë të lartë të të dy vendeve kanë rënë dakord për të eliminuar gjithë kufizimet në transportin detar dhe ajror si dhe peshkimin. Ishujt të cilat Argjentina i quan Las Malvinas, mund të lidhen me fluturime direkte me Argjentinën. Mësohet se marrëveshjet nuk do të prekin dhe nuk do të ndikojnë në sovranitetin e ishujve Falklands, siç njihen nga britanikët. Analistët thonë se bëhet fjalë për zhvillimin më pozitiv në marrëdhëniet mes Londrës dhe Buenos Ajresit për më shumë se 15 vjet.

Në vitin 1982 Britania dhe Argjentina zhvilluan një konflikt të shkurtër, por të përgjakshëm për ishujt në jug të Oqeanit Atlantik me 3 mijë banorë, të cilët janë të gjithë britanikë dhe që me një referendum në vitin 2013, konfirmuan masivisht se dëshirojnë të mbesin pjesë e territorit të Britanisë së Madhe. Pjesë e marrëveshjes janë edhe projekti për të identifikuar eshtrat e ushtarëve të panjohur që humbën jetën gjatë luftës së vitit 1982 dhe që janë varrosur në ishujt Falklands.

Duket se fryma e re e bashkëpunimit është mundësuar edhe nga ardhja në pushtet e presidentit të ri të Argjentinës, Macri, i cili ka përzgjedhur një qasje tjetër diplomatike me Londrën që pas ardhjes në pushtet një vit më parë.

Top Channel