Avioni ulet në Ishëm, shoqërohet piloti; Policia: Kishte pësuar defekt

15/09/2016 00:00

Aeroplani i vogël “Piper”, që u ul mëngjesin e së enjtes në grykëderdhjen e lumit Ishëm, rikthyen hijet e aeroplanëve të drogës në qiellin shqiptar. Fillimisht në Kuvend.

“Javën e kaluar, kryeministri tha që nuk ka drogë, nuk ka hashash, vazhdimisht po e mohoni. Shkoni pak në Durrës se sapo ra një avion i vogël i ngarkuar me hashash, në Ishëm. Qielli i Shqipërisë në vend që të mbushej me avionë të transportit të qytetarëve, është mbushur me ‘mushkonja’ të transportit të drogës dhe provën e keni tani në Durrës”, deklaroi deputeti Noka.

Sipas policisë, aeroplani u ul në orën 8:45 minuta të mëngjesit në zonën bregdetare të fshatit Godull. Ai pilotohej nga një shtetas italian, 69-vjeçar, Guido Andrea Guidi. Sipas policisë, në avion nuk është gjetur asnjë send i paligjshëm apo i dyshimtë dhe se ai ishte ulur për shkak të një defekti në motor.

Top Channel shkoi i pari në vendngjarje ku policia rrethoi një perimetër të gjerë të zonës, ndërsa hetimet po udhëhiqen nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Gazetarja Anila Hoxha pyeti nga afër pilotin italian, i cili dukshëm nuk kishte pësuar dëmtime nga ulja e pasuksesshme.

Në deklarimet e para për policinë, piloti ka shpjeguar se ishte nisur nga Bari për një udhëtim turistik drejt Veriut, por siç ka pohuar ai, për shkak të kohës së bukur ka vendosur të kryejë një fluturim mbi det dhe ka përfunduar mbi hapesirën shqiptare.

Në lartësinë 1500 metra, ai ka vënë re defektin dhe ka tentuar të ulet në zonën bregdetare të Godullës ku avioni pësoi edhe dëmtime, ndërsa një gomë i është shkëputur nga trupi. Nga ana e Aviacionit Civil rezulton se avioni në fjalë nuk ka pasur leje fluturimi. Në bazë të proceduarave, leja kërkohet 48 orë para duke paraqitur edhe dokumentacionin përkatës.

Por sipas burimeve gjyqësore italiane, piloti Guido Andrea Guidi rezulton i dënuar për korrupsion lidhur me një aksident ajror të ndodhur në qershor të vitit 2003 në Milano, ku humbën jetën dy persona.

Sipas hetuesve italianë, Guidi dyshohet se ka premtuar dhënien e 125 mijë eurove ryshfet një tekniku, në këmbim të hartimit të një raporti në favor të kompanisë, e cila drejtohej prej tij.

Gjithsesi në rastin shqiptar pritet te fundi i hetimeve për të mësuar nëse ai ishte një turist kurioz, apo me tjetër mision në bregdetin shqiptar.

FOTO GALERI
1/1
Ulet një avion në zonën mes Laçit dhe Krujës

Top Channel