Burgoset ministri i parë, Ksera dënohet me burg për “vjedhje” e “shpërdorim”

15/09/2016 00:00

Spiro Ksera është ish-ministri i parë i periudhës post-komuniste të vendit, që shpallet fajtor dhe dënohet me burgim për veprën penale të “vjedhjes” duke shpërdoruar detyrën.

Plot 2 vite e 6 muaj burgim dhe 5 vite ndalim për të mos kryer funksione publike, është vendimi i gjyqtarit Sokol Pasho ndaj ish-ministrit Ksera.

Duke qenë se ndaj Kserës u zhvillua gjykim i shkurtuar, vendimi përfundimtar reduktohet në 1 vit e 8 muaj burgim.

Fajtorë janë shpallur edhe 3 ish-vartësit e Kserës: Artevis Mene, Elda Kozaj dhe Elisabeta Dodbiba, të cilët u dënuan me nga 10 muaj burgim. Për Elda Kozajn dhe Elisabeta Dodbibën, gjykata vendosi pezullimin e vuajtjes së dënimit, me kusht dy vite në shërbimin e provës. Pas vendimit, avokati i Kserës ka qenë i ashpër me gjykatën në deklaratën e tij.

Ish-ministri Ksera dhe vartësit e tij u shpallën fajtorë se kanë abuzuar me fondet e përcaktuara për aktivitete për shtresat në nevojë, në vlerën e rreth 30 milionë lekëve.

Top Channel