Lumë parash për Neymar, PSG i ofroi një linjë hotelesh

15/09/2016 00:00

Për të marrë një sulmues nga më të mirët në qarkullim në futbollin e sotëm duhet të derdhësh miliona, por sakrifica që për më tepër shkoi kot nga francezët e PSG, i ka kaluar kufijtë e logjikës.

Agjenti i brazilianit Neymar ka zbuluar në një intervistë për rrjetin ESPN edhe detajet e ofertës për të joshur sulmuesin e Barcelonës që të shkonte në Francë.

Vagner Ribeiro tha se sheikët e PSG i kishin ofruar lojtarit më të mirë të “selesaos”, mundësinë për të ndërtuar një linjë hotelesh të nivelit botëror ku do të kishte maxhorancën e aksioneve.

Gjithashtu, Neymarit iu ofrua një avion privat për fluturimet në Brazil si dhe 40 milionë euro neto në vit.

Tratativa për të dërguar bomberin e Barcelonës në Paris ishte reale dhe takimi i parë mes palëve u bë në Ibiza verën e kaluar ku ishte i pranishëm dhe futbollisti.

Drejtuesit e skuadrës pariziene ilustruan projektin sportiv te Neymar që iu dha mundësia të bëhej numri 1 i ekipit pas largimit të Ibrahimovic si dhe evitimi i problemeve fiskale.

Një muaj më pas erdhi një takim tjetër këtë herë në Brazil, dhe u konfirmua oferta jashtë kufijve të realitetit, por Neymar pavarësisht vëmendjes, vendosi të rinovonte me Barcelonën.

Top Channel