Brazil, prokurorët kërkojnë formalizimin e akuzave ndaj ish-presidentit Lula

14/09/2016 00:00

Prokurorët federalë në Brazil i kanë kërkuar një gjykatësi që të zyrtarizojë akuzën për korrupsion ndaj ish-presidentit Luiz Inacio Lula da Silva.

Prokurorët kanë hetuar nëse Lula dhe bashkëshortja e tij dështuan të deklaronin pronësinë mbi një apartament luksoz në një resort turistik në Guaruja.

Nga ana e tij, Lula mohon të jetë në zotërim të apartamentit dhe thotë se akuzat janë të motivuara politikisht. Megjithatë, do t’i takojë gjykatësit që në ditët e ardhshme të zyrtarizojë akuzën ndaj ish-presidentit.

Apartamenti ishte ndërtuar nga një kompani të përfshirë në skandalin e korrupsionit që kishte në qendër kompaninë shtetërore të naftës, “Petrobras”.

Ish-kryetar sindikate, Lula shërbeu si president nga viti 2003 në 2010. Më herët gjatë vitit ai njoftoi planin për të garuar sërish për këtë post në 2018, por në korrik u padit për pengim të hetuesve në rastin “Petrobras”.

Pasardhësja e tij, Dilma Rousseff u shkarkua nga Senati muajin e kaluar për akuza të ngjashme.

Top Channel