Kamerat në publik, përplasje brenda koalicionit për ligjin e ri

14/09/2016 00:00

Pas kthimit për rishqyrtim nga presidenti Nishani të projektligjit për masat shtesë të sigurisë publike, mazhoranca ka rënë dakord për disa ndryshime.

Në takimin mes ministrit të Brenshëm Saimir Tahiri me kreun e komsionit të sigurisë Spartak Braho dhe kreun e grupit parlamentar të LSI-së Petrit Vasili, është vendosur të shmanget çdo formulim i pasaktë që mund të krijojë keqkuptim dhe që këto masa sigurie të keqpërdoren.

“Dakordësimi është ky: nuk do ketë detyrim automatik për të gjithë, por detyrim që rrjedh, dhe kjo është përcaktuar tashmë qartë në ligj, vetëm aty ku vlerësohet nga analiza e riskut për subjektet që kanë rrezik të shtuar sa i takon sigurisë”, deklaroi Vasili.

Në takim ishte i pranishëm edhe deputeti i PS, Pirro Lutaj, ndërsa ministri Tahiri la të kuptohet se me ndryhimet e reja, projekligji do të kalojë brenda 2 seancave të ardhshme plenare.

“Është një projektligj i domosdoshëm. Jemi të fundit në Ballkan që nuk kemi ende një ligj të tillë. Ndaj unë e kuptoj me shumë dashamirësi shqetësimin e çdo deputeti. I mirëkuptoj vërejtjet e tyre, jam i gatshëm t’i marr parasysh. Jemi ulur dhe kemi punuar siç na takon të punojmë në një Parlament dhe Republikë demokratike në funksion për të bërë gjithçka është e nevojshme për sigurinë e qytetarëve”, tha Tahiri.

Presidenti Nishani e ktheu për rishqyrtim ligjin për masat shtesë të sigurisë publike pasi sipas tij binte në kundërshtim me Konventën e të drejtave të njeriut.

Top Channel