Kafazi që shtyn proceset, Frroku dhe Ismailaj “përfituan” nga instalimi i ri

14/09/2016 00:00

Projekti për të zëvendësuar hekurat me xhama, prej pak ditësh ka sjellë vështirësi në Gjykatën Penale të Tiranës, në të cilën mjaft procese nuk janë zhvilluar derisa të përfundojë instalimi i sistemit audio.

Në kafazin me xhama të blinduar u zhvillua dy ditë më parë procesi ndaj Kastriot Ismailajt dhe vetëm dje ndaj ish-deputetit Mark Frroku, procese të cilat dështuan sepse ata thanë se nuk dëgjonin. Por para të njëjtit problem ndodhen edhe gjyqtarët.

Top Channel bëri të njëjtën provë nga vendi ku të pandehurit ndjekin procesin penal dhe ka rezultuar se vërtet nuk dëgjohet gjë.

Gjykata e Tiranës njofton se investimi me vlerë 918 mijë lekë përfundon këtë të enjte, pasi aktualisht po instalohet fonia dhe sistemi audio.

Zëvendësimi i kafazit me hekrua me atë prej xhami u bë pas raporteve të ndërkombëtarëve të cilët kërkojnë të respektohen dinjiteti dhe të drejtat e të ndaluarve. Vetëm këtë të mërkurë u shtynë pesë procese penale për këtë shkak.

Në bankën e të pandehurve ulen individë nën akuza të ndryshe nga vrasja, siç është rasti i Mark Frrokut, deri tek rasti i Ismailajt, për mashtrime financiare.

Avokatët e tyre shpesh herë përdorin truke për t’iu shmangur gjykimit, por së paku në këtë rast ata dhe klientët e tyre duken të pafajshëm.

Top Channel