Mustafa takon Veliajn: Thellim partneritetit të gjithanshëm me shtetin shqiptar

14/09/2016 00:00

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, priti në takim kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Mustafa dhe Veliaj kanë biseduar për progresin që po arrihet në të dyja shtetet, me theks të posaçëm për rezultatet në fusha konkrete që lidhen me përmirësimin e jetës së qytetarëve.

Kryeministri kosovar e njoftoi kryebashkiakun e Tiranës për zhvillimet në Kosovë si dhe për prioritetet e qeverisë për zhvillimin ekonomik, mirëqenie sociale, avancim të infrastrukturës dhe të cilësisë së jetës së qytetarëve.

Mustafa, po ashtu, theksoi përkushtimin e Republikës së Kosovës për thellimin e bashkëpunimit dhe të partneritetit, në të gjitha nivelet, me shtetin shqiptar.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, duke e falënderuar kryeministrin Mustafa për pritjen, e njoftoi për angazhimet dhe rezultatet kryesore të punës së tij në këtë fazë, në krye të Bashkisë së Tiranës. Veliaj, po ashtu, theksoi përkushtimin e gjithanshëm të Shqipërisë për thellimin e bashkëpunimit dhe të shkëmbimeve me Kosovën.

Top Channel