Trump tërhiqet nga plani për publikimin e ekzaminimeve fizike

14/09/2016 00:00

Donald Trump nuk do t’i përmbahet planit të tij të shpallur pak ditë më parë për të publikuar rezultatet e ekzaminimeve më të fundit fizike të tij, teksa ndihmësit e fushatës së kandidatit republikan njoftuan këtë të mërkurë se manjati 70-vjeçar do të shfaqet në shfaqjen televizive “Dr. Oz Show”, për të zhvilluar një debat të përgjithshëm mbi shëndetin dhe mirëqenien.

Përgjatë muajve të fundit, Trump ka hedhur shpeshherë dyshime mbi shëndetin e rivales së tij demokrate, 68-vjeçares Hillary Clinton, ndërsa mbështetës të tij kanë pretenduar bindshëm se ajo po fsheh diçka në lidhje me shëndetin e saj, gjë që faktikisht ndihmësit e ish-Sekretares së Shtetit e kanë mohuar vazhdimisht.

Kandidati republikan, nga ana e tij, nuk i është përgjigjur thuajse asnjë pyetjeje mbi shëndetin e tij përgjatë 15 muajve të fundit të fushatës, me përjashtim të publikimit të një shënimi mjekësor, diçka e pazakontë për një kandidat presidencial.

Ndaj, shfaqja e tij në “Dr. Oz Show”, e njoftuar për të premten, është afruar në kohë si një ngjarje e jashtëzakonshme, pasi ndihmësit e Trumpit thanë se gjatë ditëve të ardhshme do të publikonte rezultatet e një ekzaminimi fizik të kryer javën e kaluar. Ende nuk dihet me saktësi se kur do të bëhen publike këto rezultate, pas ndryshimit të qëndrimit të tij përpara shfaqjes me mjekun Mehmet Oz.

Doktor Oz, 56 vjeç, është një mjek jo vetëm me prirje republikane, por që ka shpenzuar dekadën e fundit duke tërhequr ndjekës të panumërt në një shfaqje televizive. Spoti origjinal i kësaj shfaqjeje mbi praninë e kandidatit republikan bënte të ditur se “Trump do të ndajë vizionin e tij për shëndetin e Amerikës” me doktor Oz, duke deklaruar guximshëm se ai debat nuk do të ishte “i kufizuar apo i censuruar”, por një bisedë ku do të flitej lirshëm.

Në një intervistë për “Fox News”, mjeku Oz tha se kishte planifikuar t’i bënte Trumpit pyetje “të mprehta”, por i druhej faktit se shumica e tyre do të ishin të penguara. Doktor Oz ka ftuar gjithashtu edhe kandidaten demokrate, Hillary Clinton, për të qenë e pranishme në një shfaqje të tijën.

Top Channel