Një hetim i përbashkët i policive të Gjermanisë dhe Serbisë ka çuar në arrestimin e 30 personave përgjegjës për trafikimin e sasive të drogës me vlerë dhjetëra milionë dollarë.

Lajmin e ka bërë të ditur Ministria e Brendshme në Beograd, sipas të cilës autoritetet në të dy vendet kanë sekuestruar mbi 20 milionë euro të fituara nga droga dhe 300 kilogramë kokainë, 96 kg kanabis dhe 100 kg hashash.

Sipas ministrit të Brendshëm, Nebojsa Stefanoviç, shumica e personave janë arrestuar në Serbi, në një seri bastisjesh, ndërsa 2 në Gjermani dhe 1 në Kroaci.

Arrestimet në Gjermani janë kryer në afërsi të qytetit Esen, ku policia tha se ishin vendosur mbi 100 oficerë të departamenteve të ndryshme.

Gjithashtu, agjentët gjermanë bastisën rreth 25 vendbanime ku anëtarët e grupit kriminal kultivonin kanabis. Ministri Stefanoviç deklaroi se në krye të grupit ishte kreu i fansave të klubit të futbollit të Beogradit, por nuk dha detaje të tjera.

Mediat lokale e identifikuan atë si Jevto Jevtiç, 33 vjeç dhe përfaqësues i fansave të klubit të futbollit të Zemunit.

Operacioni gjermano-serb vjen pas arrestimit të 66 personave ditën e shtunë në Serbi nën akuzën e prodhimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike. Gjithësesi, mediat bëjnë të ditur se të arrestuarit ishin trafikantë të nivelit të ulët dhe jo liderë të organizatave kriminale.

Top Channel