Reforma, brenda shtatorit. Dy seanca të dedikuara 6 ligjeve

14/09/2016 00:00

Mbledhja e Komisionit për Reformën në Drejtësi vendosi me konsensus zhvillimin e dy seancave për miratimin e 6 ligjeve për reformën. Mazhoranca pranoi kërkesen e opozitës për disa ditë kohë dhe ranë dakord që të miratojnë ligjet deri në datën 29 shtator.

“Të dyja palët ramë dakord që t’i përgjigjeshim një kërkese të Partisë Demokratike dhe opozitës për të pasur edhe më tepër kohë për të parë pjesën e paketës së ligjeve që kanë mbetur pa u diskutuar. Javën që vjen, paketa ligjore e reformës do të mbyllet”, tha Pandeli Majko, anëtar i komisionit të posaçëm për Reformën në Drejtësi.

“Ne si opozitë, me qëllim që të jetë një diskutim i shëndetshëm e real, jo i sforcuar dhe i nxituar si deri më sot, i këtyre 6 ligjeve thelbësore për sistemin, kërkuam të bëhet me dy faza. Deri në datën 22 u ra dakord që të shqyrtohen ligjet kryesore. Diskutimi të jetë i shëndetshëm, efektiv dhe jo i nxituar siç ka dashur mazhoranca. Fati i ‘vetting’-ut varet nuk varet nga kjo. Fati i këtyre ligjeve varet nga gatishmëria e mazhorancës për të mos e shkelur Kushtetutën. Deri më sot nuk ka asnjë provë të vërtetojë që ata do të respektojnë frymën dhe gërmën e Kushtetutës”, deklaroi Oerd Bylykbashi.

Top Channel