Tapitë tani tek ALUIZNI, ndryshon procedura për legalizimin e ndërtimeve pa leje

14/09/2016 00:00

Nga e hëna, qytetarëve që legalizojnë banesat nuk do t’u duhet të aplikojnë më pranë Zyrave të Regjistrimit të Pasurive për të marrë certifikatën e pronësisë. Këtë proces do ta kryejnë vetë drejtoritë e ALUZINIT.

“Na u deshën disa muaj për të ndryshuar dhe përshtatur procedurat ligjore. Unifikuam sistemet e operimit për të mundësuar shkëmbimin dhe dërgimin e informacionit online me ZRPP”, shprehet Artan Lame, drejtori i Përgjithshëm i ALUIZNIT.

Ky informacion duhet të trajtohet nga specialistët e ZRPP brenda 10 ditëve. Edhe në rast paqartësie, sqarimet do të kryhen nga ALUIZNI. Kreu i ZRPP thotë se procedura e re do të shmangë kamatvonesat për ata qytetarë që e tejkalojnë afatin e aplikimit.

“Ndodhte që zyrat e ALUIZNIT kishin dhënë leje legalizimi, por qytetarët për mungesë informacioni aplikonin përtej afatit ligjor 30 ditor dhe në këtë moment aplikohej kamatvonesa”, shprehet Ilirjan Muho, drejtor i Përgjithshëm i ZRPP.

Në momentin e përfundimit të procedurës certifikata u dorëzohet qytetarëve me postë nga ZRPP. Sistemi do të testohet me 5000 lejet e legalizimit të muajit shtator.

Top Channel