Revoltë kundër Bashës, Selami dhe Bregu: Partia, vetëm humbje

14/09/2016 00:00

Lulzim Basha mbrojti para grupit parlamentar tezën se me zgjedhjet në Dibër Partia Demokratike bëri gjithçka mund të bënte një parti politike përballë një strukture shtetërore që u përdor nga qeveria për të blerë zgjedhjet.

Sipas Bashës, me mekanizimin kriminal të përdorur në Dibër Edi Rama testoi përgatitjen e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Por Eduard Selami dhe Majlinda Bregu e kundërshtuan këtë tezë duke e cilësuar të pamjaftueshme.

“PD duhet të pranojë se humbi edhe për shkak të gabimeve të veta. Është e domosdoshme thirrja e Këshillit Kombëtar për të bërë një analizë të thellë. Në 3 vitet e fundit, PD-ja ka pësuar 4 humbje, 3 prej të cilavë nën drejtimin e Bashës dhe këto nuk mund të shpjegohen vetëm me blerje votash”, deklaroi Selami.

Ndërsa Bregu kërkoi përgjegjësi per aleancat e gabuara dhe mungesën e organizimit. “Të vazhdojmë të themi se na vodhën, është fatalizëm. Ne nuk mund të presim të na shkelë syrin LSI-ja dhe të na bëjë fushatë Kreshniku. Jemi në konfuzion total dhe degët janë në rënie të vazhdueshme”, deklaroi Bregu.

Paralelisht me mbledhjen e gjatë të grupit parlamentar, ish-kandidati Sherefedin Shehu bëri deklaratën e parë pas zgjedhjeve. Ai pranoi humbjen, por iu bashkua linjës zyrtare të Partisë Demokratike, se humbjen e përcaktoi blerja e votës dhe kërcënimi i votuesve nga drejtues të policisë lokale, ortake në biznesin e hashashit.

“Kjo ishte një beteje të cilën unë e humba. Por siç thonë  librat e shenjtë, jo çdo e keqe vjen për keq. Qoftë ky fillimi i fundit të poshtërimit të shqiptarëve duke u blerë votën, nderin dhe dinjitetin”, tha Shehu.

Ndërkohë, nga Dibra ku falenderoi qytetarët për zgjedhjen, kryeministri Rama ironizoi humbjen e PD. “Pasi sheh se nga numërimi merr vetëm opingën e Sherros i turret dibranëve duke i akuzuar si bashkëpunëtorë të krimit”, tha Rama.

Top Channel