Piktorja turke, me ekspozitë në Galerinë e Arteve

14/09/2016 00:00

Tulin Onat ka çelur më shumë se 37 ekspozita në Stamboll, vendin e saj të lindjes, por në Tiranë ajo prezantohet për publikun shqiptar për herë të parë. Artistja, e vlerësuar me një sërë çmimesh ndërkombëtare në pikturë, ka zgjedhur të sjellë për publikun shqiptar kaosin, me të cilin ajo sheh botën përmes koleksionit, të cilin e ka titulluar “Qark”.

“Çdo gjë është një vorbull, ku nuk dihet fundi e fillimi. Për mua, gjithçka jetojmë është në kaos, ndaj unë e copëzoj rrethin, ciklin e jetës. E ndaj atë për të krijuar forma të reja, por edhe pse e bëj këtë, shoh se përfundimi është një rreth tjetër, krijohet kështu një tjetër qark”, tha Tulin Onat, piktore.

Kritikët e artit kanë vlerësuar tek artistja efektin e fortë të ngjyrave, me të cilat ajo shprehet.

“Të gjitha materialet e përdorura janë shumë konkrete, janë copa të prekshme, të cilat pasi i vizatoj, i pikturoj. Pra pikturoj copën. Të gjitha këto materiale të bëra bashkë, ndonëse janë shumë reale, të kombinuara sjellin abstraksion. Piktura për mua është formë, është ngjyrë dhe ritëm. Unë shprehem përmes ngjyrave, i ndërthur ato të forta me ngjyrta më të çelëta për të treguar në këtë formë zbrazëtinë që ekziston përtej kanavaces”, tha më tej piktorja turke.

Ekspozita “Qark” e piktores turke do të qëndrojë e hapur deri në datën 2 tetor në Galerinë Kombëtare të Arteve.

Top Channel