Vrasja në Pogradec, për një vajzë. Adoleshentët u grindën në “Facebook”

14/09/2016 00:00

Policia e Pogradecit ka bërë me dije se konflikti mes dy adoleshentëve që shkaktoi një viktimë ka pasur si shkak grindjen për një vajzë.

Viktima Fabio Hila dhe autori i veprës penale, Fabian Muçllari mësohet se njiheshin vetëm nëpërmjet rrjetit social “Facebook”.

I marrë në pyetje nga grupi hetimor, Fabian Muçllari ka deklaruar se krimin e ka kryer me një armë të cilën e mbante të fshehur në pjesën e pasme të shtëpisë ku banonte.

Gjatë deklaratës, autori nuk ka shfaqur pendesë për veprën e rëndë duke pohuar edhe një herë se ai u nis nga një konflikt i lindur mbi një shoqen e tij. Fabian Muçllari i ka kërkuar Fabio Hiles ta lërë të qetë atë dhe pasi nuk kanë rënë dakord, ai ka marrë armën në shtëpinë e tij dhe është kthyer në lokal duke gjuajtur tre herë në drejtim të viktimës, i cili ka marrë një plumb në zemër duke i shkaktuar vdekjen.

Sakaq, policia ka nisur hetimin dhe ka sekuestruar edhe dy telefonat e tyre ku priten ekzaminimet për të zbardhur edhe bisedën e plotë mes dy të rinjve.

Top Channel