Britani, deputetët kritikojnë ndërhyrjen në Libi: Shkaktuan rritjen e ISIS

14/09/2016 00:00

Një raport parlamentar britanik kritikon ashpër ndërhyrjet e Britanisë dhe Francës, që sollën rrëzimin e udhëheqësit libian Muammar Gaddafi në vitin 2011.

Komiteti i Çështjeve të Jashtme akuzoi kryeministrin e atëhershëm, David Cameron, se nuk kishte një strategji koherente për fushatën e sulmeve ajrore, duke e bërë përgjegjës të drejtpërdrejtë të kolapsit të Libisë.

Në raport shkruhet se, ndërhyrja ushtarake nuk ishte bazuar në informacione të sakta dhe se solli ngritjen e Shtetit Islamik në Afrikën e Veriut. Në reagim ndaj raportit, qeveria britanike tha se vendimi për të ndërhyrë në Libi ishte ndërkombëtar. Ai ishte kërkuar gjithashtu nga Liga Arabe dhe u autorizua nga Këshilli i Sigurimit.

Koalicioni ndërkombëtar i udhëhequr nga Britania dhe Franca nisën bombardimet ndaj forcave të Muammar Gaddafit në mars të vitit 2011, pasi regjimi libian kërcënoi se do të sulmonte qytetin rebel të Bengazit. Por, pas rrëzimit të Gaddafit, Libia u mbërthye nga kaosi i shkaktuar prej disa qeverive rivale dhe qindra milicive armike, si dhe u krijua terren për forcimin e Shtetit Islamik.

Vet ish-kryeministri Cameron e ka mbrojtur gjithnjë ndërhyrjen në Libi, duke thënë se Gaddafi do të shfaroste njerëzit në Bengazi. Por, sipas Komitetit për Punët e Jashtme, qeveria britanike nuk kuptoi se kërcënimi ndaj civilëve ishte mbivlerësuar ndjeshëm dhe se kërcënimt e Gaddafit u cilësuan si të mirëqena.

Sipas komitetit, pas sigurimit të Bengazit kishte mundësi për zgjidhje politike, por qeveria britanike u fokusua vetëm te ndërhyrja ushtarake. Gjithashtu raporti thekson se qeveria britanike, e tërhequr në luftë nga entuziazmi francez, nuk arriti që të identifikojë elementin militant islamik në rebelimin libian, diçka që i hapi derën problemeve që ekzistojnë sot në Libi.

Top Channel