Sherefedin Shehu mesazh për dibranët: E di që presioni ndaj jush ka qenë i madh

14/09/2016 00:00

Kandidati i Partisë Demokratike për Bashkinë e Dibrës, Sherefedin Shehu u ka dërguar një mesazh votuesve që e mbështetën në zgjedhjet e së dielës.

“Unë e di se presioni ndaj jush ka qenë i madh. Gardianet e hashashit ju kërcënuan në mënyrë sistematike nën mbrojtjen dhe mbikëqyrjen e vetë shefit të komisariatit.  Unë e dëgjova nga goja juaj, se e kishit të pamundur të mbillnit tokat tuaja apo të prisni dru në malet tuaja, se trafikantët e mbledhur në Dibër nuk ua lejonin një gjë të tillë”, thotë Shehu.

Shehu i qëndron linjës së Partisë Demokratike se vota e së dielës u ble.

“Varfëria që u thellua në këto tre vjet e rriti tundimin e më të varfërve, e më të pamundurve për ta shitur votën sepse në fund të fundit kjo është filozofia e Edi Ramës, sa me i varfer populli, aq me më e lire vota. E di se u kërcënuat me bukën e gojës, me ndihmën ekonomike, shumë prej jush jua hoqen atë, u kërcënuat me heqje KEMP-i, u larguat nga puna, u  shantazhuat për votën”, thotë ai.

“Por përtej të gjitha, unë u jam thellësisht mirënjohës çdo njërit prej jush që më dha votën duke sfiduar krimin e bërë njësh me pushtetin, duke sfiduar kriminelët me uniformë policie, tundimin për shitjen e votës me shuma të majme parash, presionin e deputetëve të krimbur me paratë e korrupsionit.  Sepse ju votuat me mendje dhe zemër dhe unë do tu jem përjetë mirënjohës”, shkruan Sherefedin Shehu.

“Historia e ka treguar se ne demokratët jemi rikthyer gjithnjë e më të fortë pas dhunës, kërcënimit e vrasjeve që na kanë bërë. Sepse Zoti e desh që ne të jemi forca e lirisë e demokracisë dhe e zhvillimit. Dhe unë sot jam më i bindur se kurrë se dibranët  do të rikthehen shpejt aty ku e kanë vendin në parajojë të  qendrës për vlerat e lirisë dhe demokracisë. Kjo ishte një beteje të cilën unë e humba. Por siç thonë  librat e shenjtë :“Jo çdo e keqe vjen për keq!”, thotë ai.

“Qoftë ky fillimi i fundit të poshtërimit të shqiptareve duke u blerë votën, nderin dhe dinjitetin”, mbyll mesazhin e tij Sherefedin Shehu. 

Top Channel