13-vjeçari që po “çmend” adhuruesit e “Jazz”-it

14/09/2016 00:00

Pianisti vetëm 13-vjeçar i “Jazz”-it, Joey Alexander, sapo ka nxjerrë albumin e tij të dytë dhe përpara dy vitesh u bë artisti më i ri i nominuar për një çmim “Grammy”, por mos e quani “një fëmijë mrekulli”.

“Jam thjesht shumë mirënjohës. Nuk mendoj se jam një gjeni. Jam vetëm mirënjohës për dhuratën që më ka bërë Zoti, duke më lejuar të intepretoj muzikën që dua”, tha Joey Alexander.

Alexander nisi të luante në piano në moshën 6-vjeçare, pasi prindërit i kishin blerë një tastierë të vogël elektronike. Ai praktikisht është autodidakt. E mësoi vet sesi të intepretonte “Well, You Needn’t” të grupit “Thelonious Monk’s”.

Tani me albumin e dytë “Countdown”, ai ka eksploruar pak më shumë me “cover”-a të të mëdhenjve të “Jazz”-it, Thelonious Monk, Billy Strayhorn dhe “Countdown” të John Coltrane.

“Më pëlqen muzika e tyre, e kam dëgjuar që kur isha i vogël. Rrija bashkë me babain e ndiqnim vijën melodike sidomos të ‘Countdown’-it. Është goxha e vështirë për t’u luajtur. Shumë e bukur është edhe ‘Giant Steps’, por ‘Countdown’-i se ç’ka diçka të veçantë, një hapësirë ndryshe”, tha Alexander.

Albumi përmban edhe 3 kompozime origjinale të 13-vjeçarit. Alexander, i lindur në Bali, studion gati dy apo 3 orë çdo ditë. Muzika – thotë ai, – nuk ka të bëjë vetëm me teknikën. Ajo është ndjesia e mënyrës sesi luan dhe liria që të jep. Dhe kur zhytesh në studimin e saj, provon gjëra që nuk i ke provuar ndonjëherë më parë.

Për publikun e gjerë, albumi do të jetë në shitje më 16 shtator.

Top Channel