Profili i presidentit të ri të UEFA-s, Ceferin

14/09/2016 00:00

Alexander Ceferin fitoi të drejtën për të qenë president i UEFA, në zgjedhjet e mbajtura gjatë Kongresit të Jashtëzakonshëm në Athinë. 48-vjeçari bëhet presidenti i shtatë i organizmit qeverisës të futbollit europian që prej vitit 1954. I pari ka qenë Shvartz, e më tej Viderker, Frankit, Zhorzh, Johanson dhe më i fundit Platini.

Por kush është kreu i ri i UEFA-s? Alexander Ceferin ka lindur në Lubjanë të Sllovenisë më 13 tetor të vitit 1967. I diplomuar në Fakultetin Juridik të Universitetit të Lubjanës, fillimisht Ceferin filloi të punojë në studion ligjore të familjes së tij, por me kalimin e kohës filloi të shfaqte një interes në përfaqësimin e sportistëve profesionistë dhe klubeve të disiplinave të ndryshme.

Interesi për futbollin i lindi në vitin 2005, gjatë punës së tij te skuadra e KMN Svea Lesna, një nga ekipet më të suksesshme në futbollin e sallave në Slloveni. Po atë vit, ai u bë edhe anëtar i Komitetit Ekzekutiv të skuadrës amatore Lubjana Lawyers.

I martuar dhe me 3 fëmijë, Alexander Ceferin flet rrjedhshëm gjuhët angleze dhe italiane. Në vitin 2011 ai u zgjodh president i Federatës Sllovene të Futbollit. Në të njëjtën kohë, ai ka qenë në rolin e zv.presidentit të dytë dhe të tretë të Komitetit të Ligjeve në UEFA.

“Ju falënderoj për mbështetjen tuaj fantastike”, ishte deklarata e Ceferin pas zgjedhjes së tij në postin më të lartë të UEFA-s. “Është një nder, por edhe një përgjegjësi e madhe për mua. Kjo do të thotë shumë. Familja ime është krenare për këtë, por edhe vendi im i vogël e i bukur, Sllovenia. Shpresoj që një ditë edhe ju të jeni krenarë për mua”.

Top Channel