Icardit i hapen dyert e kombëtares. Bauza: Tek Argjentina, në varësi nga jeta private

14/09/2016 00:00

Forma shumë e mirë e Mauro Icardit në këtë fillim sezoni nuk e ka lënë indiferent trajnerin e përfaqësueses argjentinase, Edgardo Bauza, i cili i ka hapur dyert e kombëtares sulmuesit të Interit.

Në një konferencë për shtyp, Bauza deklaroi se nuk e përjashton mundësinë që Mauro Icardi të grumbullohet në kombëtare, por gjithçka varet edhe nga jeta e tij personale.

“Icardi do të vëzhgohet me vëmendje. Nëse jeta e tij personale nuk ndikon në rendimentin e tij në fushë, atëherë nuk do të përbëjë asnjë problem për grumbullimin me skuadrën argjentinase”, tha Bauza.

Edgardo Bauza nuk e kishte grumbulluar Icardin në ndeshjet e fundit kualifikuese të Botërorit 2018, ndaj Uruguajit dhe Venezuelës, ndaj të cilave Argjentina arriti të marrë një fitore dhe një barazim. Argjentina ndodhet në vendin e tretë të renditjes së grupin amerikanolatin të kualifikueseve, me 15 pikë, pas Brazilit dhe Uruguajit.

Top Channel