Juncker paralajmëron Britaninë: S’ka qasje në tregun e përbashkët pa lëvizjen e lirë

14/09/2016 00:00

Në atë që konsiderohet si fjalimi i parë i tij mbi gjendjen aktuale në Bashkimin Europian pas votës së papritur të Britanisë së Madhe për daljen nga blloku, presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker ka paralajmëruar vendin ishullor se, aksesi ndaj tregut të përbashkët europian do të varet tërësisht nga lëvizja e lirë e njerëzve.

Sipas tij, këto dy fusha do të jenë të ndërlidhura dhe “nuk do të ketë qasje të ndara” për secilën prej tyre. Juncker pati si qëllim kryesor t’i mblidhte të 27 vendet anëtarë të BE-së për t’u fokusuar kryesisht në sfidat më të rëndësishme, siç janë ato të emigracionit dhe sigurisë.

Ai këmbënguli më tej se Bashkimi Europian nuk rrezikon aspak nga “Brexit”, por pranoi se largimi i Mbretërisë së Bashkuar ka nxitur një “populizëm galopant” dhe se Europa duhet të jetë e mbrojtur prej këtyre forcave kundër vlerave dhe parimeve themelore të njerëzimit.

Duke kritikuar ashpër sulmet e fundit ndaj emigrantëve në Britani, Juncker tha se “nuk do të pranojë kurrë, që punëtorët polakë të hidhen në rrugë dhe të keqtrajtohen rrugëve të Essexit”.

Udhëheqësit e BE-së do të mblidhen në kryeqytetin sllovak, Bratislavë, gjatë së premtes, aty ku do të mungojë kryeministrja britanike Theresa May. Ndërkohë, të martën në mbrëmje, presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk bëri ndërhyrjen e tij në debatin mbi të ardhmen e BE-së.

Përmes një letre, e cila u drejtohet si zakonisht udhëheqësve përpara një samiti, Tusk sugjeroi se BE-ja duhet të jetë e ndërgjegjshme mbi ambiciet e saj pas votës së britanikëve në favor të “Brexit”-it.

“Çelësi i suksesit për një balancë të shëndetshme mes prioriteteve të shteteve anëtare dhe atyre të Bashkimit Europian gjendet pikërisht në kryeqytetet e secilit vend”, tha Tusk. “Institucionet e të gjitha vendeve duhet të mbështesin prioritetet e rakorduara mes anëtarëve të BE-së, e jo të vendosin të tyret mbi to”.

Deklarimi i tij ra në kontradiktë me këmbënguljen e Junckerit gjatë së mërkurës, kur tha se “shpesh, interesat kombëtare sillen në plan të parë” në Europë. Më vonë, ai nxiti për një rifokusim tek unioni, “si një forcë udhëheqëse që mund të sjellë vetëm bashkim, si për shembull edhe atë të Qipros”.

“Mbi të gjitha, Europa nënkupton paqe. Nuk është aspak koinçidencë, që periudha më e gjatë e paqes nisi me krijimin e komunitetit europian”, tha ai.

Top Channel