UEFA, Ceferin zgjidhet president. Fjalimi i fundit i Platinisë

14/09/2016 00:00

Nisi këtë të mërkurë epoka “post Platini” e UEFA-s. Institucioni më i lartë qeverisës i futbollit europian është mbledhur në Athinë për të zgjedhur pasuesin e francezit, në një gare që u zhvillua mes sllovenit Alexander Ceferin (favoriti) dhe holandezit Michael Van Praag.

Michel Platini, pavarësisht skualifikimit 4-vjeçar të marrë nga Gjykata e Arbitrazhit Sportiv të Lozanës, u ftua për të hapur punimet e Kongresit të 12 të Jashtëzakonshëm, nga i cili do të zgjidhej presidenti i 7 i UEFA-s. Dhe ai është Ceferin, i cili u zgjodh me 42 vota pro, ndërkohë që për Van Praag votuan 13 vende nga 55 pjesëmarrëse.

“Ju duhet të vijoni të ndiqni këtë mision të bukur pa Michel Platininë – theksoi ish-futbollisti i Juventusit dhe kombëtares franceze, – për disa motive te të cilat nuk dua të rikthehem sot. Duhet të dini thjesht dhe vetëm faktin që ndërgjegjja ime është e pastër. Jam i bindur se nuk kam bërë as gabimin më të vogël, ndaj dhe do të vijoj betejën time ligjore. Dua të falënderoj të gjithë ata, në këtë sallë, që kanë pasur kurajon për të më mbështetur gjatë këtyre muajve të fundit”.

Platini, gjatë fjalimit të tij, ka dhënë një udhërrëfyes për të vijuar përpjekjet në funksion të përmirësimit të vazhdueshëm të futbollit në kontinentin e vjetër.

“Unë e dua futbollin. Që prej fëmijërisë sime e deri më sot nuk kam pasur kënaqësi tjetër më të madhe sesa të luaja futboll, të ndaja gëzimet, dhimbjet, sforcimet, por edhe humbjet me të gjithë. Madje edhe të mësoja prej tyre, e të arrija të fitoja. Futbolli është sporti më i bukur, më i thjeshti dhe më popullori në botë. Ne kemi ndërmarrë së bashku përpjekjet për ta zhvilluar atë dhe për ta ruajtur nga çdo efekt shtesë apo derivat, që suksesi i tij planetar të mund të prodhonte. Nga sot, ju duhet të vazhdoni këtë sipërmarrje pa mua, ndaj dhe ju uroj një sukses të jashtëzakonshëm në ndjekjen e këtij misioni. Treni është në shinat e duhura, por udhëtimi është ende i gjatë dhe ka ende shumë gjëra për të bërë, sepse futbolli mbetet gjithsesi një lojë, pavarësisht abuzimeve të rënda që e kërcënojnë. Kjo, sepse nuk mund të ekzistojë një futboll i kombeve të mëdha dhe një futboll i vendeve të vogla, një futboll i klubeve të mëdha dhe një mbledhje e përjavshme gjatë të dielave mes djemsh lagjeje. Ekziston vetëm një futboll, i cili nuk i përket as FIFA-s dhe as UEFA-s, por na përket të gjithëve ne”, deklaroi Platini.

“Sot doja vetëm t’iu thoja faleminderit, – përmbylli fjalimin Platini. – Faleminderit për këto 9 vite, gjatë të cilave kemi punuar mirë dhe për këtë nuk duhet të keni asnjë dyshim. Shpresoj që të jeni të lumtur për këtë, e madje të jeni edhe krenarë për atë që kemi realizuar së bashku. Unë për veten time jam mëse krenar, e për këtë arsye jam këtu sot, përpara 55 përfaqësuesve të federatave respektive të vendeve anëtare, përpara atyre që më zgjodhën. Doja t’iua thoja me zërin tim, mirupafshim dhe faleminderit! Mandati im mbyllet këtu në këtë Kongres, gjatë të cilit do të zgjidhet pasuesi im. I uroj atij gjithë të mirat në ushtrimin e funksioneve të reja”.

Top Channel