Konferencë ndërkombëtare kundër ekstremizmit të dhunshëm

14/09/2016 00:00

“Ka mangësi në koordinim dhe vetëm përmes bashkëpunimit mund të garantohet siguria”. Në këtë përfundim arritën ambasadorët Lu e Vlahutin gjatë diskutimeve për ekstremizmin e dhunshëm, ku veç zyrtarëve të lartë, morën pjesë edhe përfaqësues të komuniteteve fetare dhe ekspertë të sigurisë.

Zv.kryeministri Peleshi tha se Shqipëria e ka një armë për të luftuar ekstremizmin dhe terrorizmin.

“Në disa shkolla të vendit do të fillojë zbatimi i një projekt pilot për bashkëjetesën fetare, por edhe përgatitjen e të rinjve për të përballuar presionet ekstremiste. Sfida e madhe është që ta konkurrojmë ofertën e errët ekstremistë me ofertën tonë të re të arsimit porfesional. Pra narativa për të rinjtë, ajo është arma më e fortë kundër ekstremizmit dhe terrorizmit. Ne duhet ti ofrojmë çdo të riu axhendën, për ditën muajin, vitin  dhe jetën. Pra ti ofrojmë një narativë për të ardhmen”, tha ai.

Ambasadori Lu e vuri theksin tek bashkëpunimi për të shmangur ngjarjet terroriste si ato që kanë tronditur Europën muajt e fundit.

“ISIS nuk është vetëm në Siri dhe Irak, nuk është vetëm një ushtri, është ideologji dhe për këtë arsye përbën një kërcënim serioz për Europën e më tej. Ne nuk e dimë në çfarë forme do të materializone këto kërcënime, siç ndodhi këtë vit në Francë e Belgjikë e Gjermani. Por dimë një gjë: Ngado që këto kërcënime vijnë ne jemi besimplotë se nëse punojmë së bashku do jemi gati ti përballojmë”, deklaroi kryediplomati amerikan.

“Sfida të reja të sigurisë kërkojnë përgjigje gjithëpërfshirëse që i trajtojnë në disa anë. Lufta kundër këtyre grupeve kërkon bashkëpunim mes shërbimeve të sigurisë në mbarë globin.  Sulmet e fundit në Evropë tregojnë mangësi në koordinim dhe në shkëmbimin e informacionit. Për të luftuar grupet terroriste duhet të kuptojmë pse janë tërheqëse për të tjerët”, deklaroi ambasadorja e BE-sw nw Tiranw, Romana Vlahutin.

Ambasadorja Vlahutin tha se po diskutohet mundësia që në Shqipëri të ngrihet qendra rajonale kundër ekstremizmit të dhunshëm.

Top Channel