Obama në krah të Clinton: Është e vërtetë dhe e qëndrueshme

14/09/2016 00:00

Në një kohë kur duket qartë se Hillary Clinton ka më shumë nevojë për mbështetje pasi nuk është në gjendje të mirë shëndetësore, nga Filadelfia presidenti Barack Obama kërkoi të binde amerikanët t’i japin mbështetjen e tyre me votë ish-Sekretares së Shtetit.

“Unë vërtetë, vërtetë, vërtetë zgjedh Hillary Clinton për presidente. Ajo është e qëndrueshme dhe e vërtetë!”, deklaroi Shefi i Shtëpisë së Bardhë.

Obama po ashtu sulmoi edhe kampin kundërshtar republikan, duke vënë në lojë lidhjen midis Donald Trump dhe Vladimir Putin.

“Shikoni se çfarë po ndodh në Partinë Republikane. Kandidati i tyre po lavdëron dikë të cilin e quan ‘një udhëheqës të fortë’, kur ai në fakt burgos kundërshtarët e tij, kontrollon shtypin dhe ccon ekonominë e tij në një recesion të thellë”, vijoi Obama.

Shqetësimi i Clintonit ishte se kundërshtarët mund ta shfrytëzonin lajmin e sëmundjes së saj, ndaj edhe përkundër këshillave të mjekëve, zgjodhi të vazhdonte fushatën.

Në një intervistë telefonike për CNN, ajo tha se tani ndihej shumë më mirë dhe se fillimisht kishte menduar se bëhej fjalë për një alergji.
 
“Thjesht nuk mendova se do të bëhej kaq e madhe. E injorova këshillën e mençur të mjekëve për të pushuar për 5 ditë. Por shpresoj që shumë shpejt ti rikthehem fushatës”, tha Clinton.

Top Channel