Abuzimi me rrugën Tiranë-Elbasan, KLSH: 2.6 mln dollarë dëm buxhetit

13/09/2016 00:00

Kontrolli i Lartë i Shtetit gjeti një sërë shkeljesh për realizimin e projektit të ndërtimit të rrugës Tirane-Elbasan. Drejtori i njësisë së menaxhimit të këtij projekti u kallëzua penalisht në Prokurorinë e Tiranës, nga KLSH.

Sipas auditit të bërë rezulton se janë kryer pagesa ndaj kontraktorëve privatë në kundërshtim me kontratën e punimeve civile, janë keqmenaxhuar fonde, me pasojë dëm ekonomik ndaj buxhetit të shtetit në një vlerë mbi 2.4 milionë dollarë, si dhe shpenzime jo në përputhje me parimet e tre “E”-ve, që janë efektiviteti, efiçenca dhe ekonomia, në një vlerë prej 4 milionë dollarë.

Raporti përfundimtar i auditimit, i firmosur edhe nga kreu i KLSH-së, konstaton një dëm të shkaktuar në vlerën totale 2.4 milionë dollarë për projektin dhe të shpenzimeve jo në përputhje me parimet e ekonomisë, me vlerë rreth 4 milionë dollarë.

Gjatë auditimit u konstatua se janë përdorur pa efektivitet fonde që kalojnë vlerën e 4 milionë dollarëve.

Për të gjitha shkeljet, sipas KLSH-së mban përgjegjësi drejtori i Njësisë së Menaxhimit të projektit të rrugës Tiranë-Elbasan, i cili në mospërmbushje të rregullt të detyrës së tij funksionale ka konsumuar elementët e figurës së veprave penale të “shpërdorimit të detyrës”, duke dëmtuar rëndë interesat e ligjshme të shtetit dhe duke favorizuar subjektet private.

Por KLSH, në raportin e saj nuk përjashton që gjatë hetimeve të prokurorisë të dalin përgjegjësi penale edhe ndaj personave të tjerë, anëtarë të Njësisë së Menaxhimit të projektit të rrugës Tiranë-Elbasan, si dhe eprorëve të tyre.

Top Channel