Prezantohet aplikacioni E-Konsullata

13/09/2016 00:00

Ministria e Jashtme ka prezantuar aplikacionin konsullor E-Konsullata, i cili pritet të krijojë një sërë lehtësirash për qytetarët. Kryeministri Edi Rama listoi një sërë avantazhesh, ku më kryesorja, sipas tij, është ulja e kostove dhe radhëve në sportele.

“Shërbimet konsullore online do të jenë falas. Pra, e gjithë ajo humbje kohe dhe stres për shkak të nevojës për konsullatën shqiptare, ka pasur edhe një barrë të madhe financiare”, deklaroi Rama.

Për ministrin Bushati, ky aplikacion nuk do të shërbejë vetëm për Ministrinë e Jashtme.

“Është shumë i vlefshëm edhe për agjencitë e promovimit të investimeve dhe agjencitë e promovimit të turizmit. Është i rëndësishëm për operatorët tanë turistikë dhe për procesin e regjistrimit të shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë atdheut”, tha Bushati.

Ky aplikacion do të ketë kontaktet e sakta të çdo përfaqësie shqiptare në botë, informacion mbi procedurat e legalizimeve të dokumenteve, shërbimet e tjera konsullore brenda dhe jashtë vendit si dhe informacione mbi situatën politike dhe shëndetësore për secilin vend që është pjesë e E-Konsullata.

Top Channel