Dhunë në burgun e Fierit, AP: Prokuroria të hetojë

13/09/2016 00:00

Avokati i Popullit akuzon drejtuesit e Burgut të Fierit për dhunë fizike ndaj një të burgosuri dhe pengim të këtij institucioni për kryerjen e detyrës në mbrojtje të të drejtave të njeriut.

Inspektorët e Avokatit të Popullit kanë ndaluar për një kontroll rutinë të programuar në burgun e Fierit, kur gjatë mbikëqyrjes së ambienteve të veçim-vëzhgimit kanë vënë re një të burgosur me shenja dhune në trup.

Menjëherë inspektorët e Avokatit të Popullit kanë kërkuar të intervistojnë të dënuarin, por siç thuhet në deklaratën e shpërndarë për mediat nga ky institucion, janë penguar të ushtrojnë detyrën e tyre nga drejtuesit e burgut dhe Policia e Burgjeve e Fierit.

“Ekspertët e Mekanizmit Kombëtar të Parandalimit të Torturës (MKPT) pranë Avokatit  të Popullit janë ndaluar fizikisht të ushtrojnë detyrat e tyre funksionale,  ndërsa po zhvillonin një hetim administrativ  për  një të dënuar, ndaj të cilit është ushtruar dhunë fizike”, thotë Avokati i Popullit.

Avokati i Popullit thotë se kërkoi të intervistonin personin e dhunuar në spitalin e burgut, por aty ndodhej Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve, që e kishin marrë në pyetje të dënuarin me inicialet P. P. ndaj të cilit ishte ushtruar dhunë.

Në fund, ekspertët e MKPT kanë mundur të takojnë të dhunuarin duke shkëputur prej tij edhe dëshminë.

“Ekspertët zhvilluan një takim në spitalin e burgut me të dënuarin P.P.  i cili konfirmoi dhunën e ushtruar ndaj tij nga punonjësit e policisë së IEVP, Fier.  Gjithashtu, si pjesë e hetimit të ekspertëve ishte edhe ekzaminimi fizik i të dënuarit P.P., i cili rezultonte me shenja të dukshme dhune, dëmtime në kokë, shpinë dhe gjymtyrë, si rezultat i goditjeve”, thuhet në deklaratën e Avokatit të Popullit.

Ky institucion thotë se menjëherë pas marrjes së dëshmisë, ekspertët kanë kërkuar të fotografojnë shenjat e dhunës si prova kryesore në një hetim të tillë administrativ, por thuhet në deklaratë, janë penguar nga punonjësit e burgut.

“Edhe pas këmbënguljes për disa orë me radhë të ekspertëve të MKPT, sërish drejtuesit e IEVP Fier nuk i kanë lejuar të ushtrojnë detyrën e tyre funksionale në kundërshtim të plotë me ligjin”, thotë Avokati i Popullit.

Pas marrjes së ndihmës së parë mjekësore në spitalin e burgut, i dhunuari P.P. është dërguar drejt spitalit të Fierit, ku edhe këtu inspektorët e Avokatit të Popullit janë ndaluar.

“Sërish Ekspertët e AP kërkuan që të kryejnë në këtë spital civil fotografimin e shenjave të dhunës tek ky person, por nuk u lejuan.  Në momentet që i dënuari  mbërriti  në spitalin e Fierit i shoqëruar  nga  dy punonjës policie, si dhe tre civilë, këta të fundit i kanë dalë përpara ekspertëve të AP duke u thënë se nuk i njohin dhe duhet të largoheshin”, deklaron ky institucion.

Në fund Avokati i Popullit u bën thirrje drejtuesve të burgut të Fierit dhe të Policisë së Shtetit të përfshirë në këtë ngjarje që të tërhiqen nga ky veprim i paligjshëm dhe i kërkon Prokurorisë që të nisë menjëherë hetimin për personat që po pengojnë ekspertët e këtij institucioni në kryerjen e detyrave të tyre ligjore.

Top Channel