Kosovë, Hoxhaj takon Avramopoulos: Liberalizimi i vizave, së shpejti

13/09/2016 00:00

Ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj është takuar në Strasburg me Komisionerin për Migracionin dhe Punët e Brendshme të BE-së, Dimitris Avramopoulos, me të cilin ka diskutuar për çështjen e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Në takimin me Avramopoulos, i cili është njëri prej mbështetësve kryesor të Kosovës në BE për heqjen e vizave, sipas asaj që bën të ditur vet Ministria, Hoxhaj e ka njoftuar atë me zhvillimet e brendshme dhe zotimin e Qeverisë së Kosovës për t’i përmbushur detyrimet e saj. Por, ministri Hoxhaj ka kërkuar gjithashtu edhe vendim pozitiv në javët që vijnë, sapo të përmbushen këto kritere.

“Në takimin që kisha me komisionerin Avramopoulos dhe me shumë deputetë të tjerë të Parlamentit Europian, kemi marrë një zotim të madh dhe të plotë se qytetarët e Kosovës do të udhëtojnë pa viza drejt Europës, në momentin kur ne t’i plotësojmë kriteret e fundit që kanë mbetur pa u plotësuar”, ka thënë Hoxhaj.

Nga ana e tij, Avramopoulos ka deklaruar se, beson që kilometri i fundit drejt Europës pa viza nuk do të zgjasë edhe shumë.

“Jam shumë i lumtur që e takoj sërish një mik të vjetër dhe të mirë, Enver Hoxhajn, ministrin e Punëve të Jashtme të Kosovës. Ne zhvilluam një diskutim shumë të mirë, si gjithnjë. Edhe njëherë ritheksuam vullnetin tonë për të lëvizur përpara. E dini që në këto muajt e fundit, Qeveria e Kosovës dhe Komisioni kanë punuar së bashku për t’i tejkaluar pengesat e fundit, në mënyrë që të arrijmë në momentin ku qytetarët e Kosovës të gëzojnë të drejtat dhe t’i gjejnë dyert e hapura për të lëvizur pa viza në Europë. Ashtu siç e kam theksuar gjatë vizitës sime të fundit në Prishtinë, ne jemi në kilometrin e fundit. Ju siguroj që ky kilometër nuk do të zgjasë më shumë”, ka thënë Avramopoulos pas takimit me Hoxhajn.

Gjatë punimeve vjeshtore të Parlamentit Europian në Strasburg, Hoxhaj ka takuar ndaras edhe eurodeputeten Ulrike Lunaçek, raportuesin në hije për Kosovën nga grupi “S&D”, Antonio Panzeri, udhëheqësin e Delegacionit për Kosovën dhe Bosnje-Hercegovinën, Tonino Picula, kryetarin e grupit “S&D”, Gianni Pittella, por edhe Tanja Fajonin, raportuesin për Kosovën, David McAllister, si dhe bashkëudhëheqësin e Komitetit për Politikën e Jashtme të PE-së, Elmar Brok.

Në këto takime, ministri Hoxhaj i ka njoftuar ata për zhvillimet e fundit politike në Kosovë, raportin mes Kosovës dhe BE-së, si dhe për dialogun Kosovë-Serbi. Po ashtu, ai ka kërkuar mbështetje për procesin e liberalizimit të vizave. Në ditën e parë të vizitës në Bruksel, Hoxhaj ka takuar komisionierin Hahn, shefen për Politikën e Jashtme, Mogherini, dhe të tjerë nga NATO.

Top Channel