Lideri i ri i OKB, Rusia pro kandidates bullgare

13/09/2016 00:00

12 burra e gra, janë pretendente për të pasuar Ban Ki Mun në postin e sekretarit të përgjithshëm të OKB. Nga 4 votimet e kryera deri me tani në Këshillin e Sigurimit ka rezultuar favorit Antonio Guterres nga Portugalia.

Por ajo që ka ngjallur vëmendjen maksimale është kandidatja e europës lindore. Bullgarja Irina Bokova-n, drejtoresha e përgjithshme e UNESCO-s shihet si një zgjedhje e përshtatshme nga shumë ekspertë, e nga ata që do të donin që OKB të drejtohej për herë të parë nga një grua.

Ajo gëzon edhe mbështetjen e Rusisë është një zë i fortë i të drejtave të grave dhe përqafon diplomacinë e guximshme, diçka për të cilën vendet në zhvillim i janë mirënjohëse.

Ekspertet mendojnë se mbështetja e kandidates bullgare nga Moska është diçka e pritshme…Edhe pse Bullgaria i përket grupit të vendeve që e kanë kritikuar ndërhyrjen e Rusisë në Ukrainë dhe Siri, Rusia po përpiqet ta ndajë grupin, sugjeron analisti Daniel Kaddik për DW. Sipas tij kjo është pjesë e strategjisë se Moskës. 

Bokova gëzonte gjithashtu edhe mbështetjen e SHBA derisa kërkoi anëtarësimin e autoritetit palestinez ne UNESCO. Amerika është përgjegjëse për 22 %  të buxhetit te UNESCO-s.

Bokova ishte një prej të paktave politikane perëndimore e cila mori pjesë në paradat ushtarake të 9 majit në Rusi, të bojkotuara nga shumë të tjerë dhe ka një marrëdhënie të mirë me presidentin Vladimir Putin.

Por ajo është gjithashtu një mikeshë e familjes Clinton, çka mund të rrisë shanset për të siguruar mbështetjen e Amerikës.

Me 3 prej 5 prej pjesëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurisë pas vetes, vetëm SHBA dhe Britania mbeten ende në dyshim. Wall Street Journal shkruan se po të mos ishte për të shkuarën komuniste, Bokova do të ishte kandidatja kryesore për t’u zgjedhur si shefja e re e OKB-së.

Top Channel