Meta vazhdon takimet në Londër

13/09/2016 00:00

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, u prit nga Kryetari i Komisionit Parlamentar Britanik të Drejtësisë, Bob Neill në vazhdim të vizitës së tij zyrtare në Londër.

Meta vlerësoi bashkëpunimin me Britaninë e Madhe në çështjet e drejtësisë dhe vuri në dukje se Shqipëria mund të përfitojë më shumë nga eksperienca dhe ekspertiza e gjerë britanike në këtë fushë kyçe.

Në këtë kuadër, Meta dhe Neill diskutuan mbi ecurinë e reformës në drejtësi, të cilën Meta e konsideroi si një transformim rrënjësor të sistemit të drejtësisë, i nevojshëm jo vetëm për qytetarët shqiptarë, por edhe për rritjen e besueshmërisë ndaj investitorëve të huaj, veçanërisht atyre britanikë. Në këtë kontekst, Meta theksoi se Britania e Madhe është një partner i veçantë për Shqipërinë, falë eksperiencës së saj në vite, por edhe për shkak të investimit të madh në këtë fushë në Shqipëri e në rajon.

Kryetari i Komisionit Parlamentar Britanik të Drejtësisë Bob Neill nënvizoi se arritja e konsensusit për miratimin e kësaj reforme madhore kushtetuese në Shqipëri vlerësohet nga Mbretëria e Bashkuar dhe në këtë drejtim inkurajohet ndërtimi i një sistemi solid të drejtësisë, të pavarur nga çdo ndërhyrje politike në të ardhmen.

Në përfundim, Bob Neill dha edhe një prononcim për mediat: “Ishte kënaqësi të takoheshim me z. Ilir Meta, Kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë dhe delegacionin që e shoqëron atë. Bashkëpunimi me kolegët e parlamenteve demokratike në Evropë është mjaft i rëndësishëm dhe ky është një shembull shumë i mirë. Patëm një diskutim të frytshëm dhe tejet pozitiv për reformën domethënëse dhe shumë të rëndësishme në sistemin e drejtësisë në Shqipëri. Shpresoj të japim kontributin tonë për t’iu ndihmuar në çdo aspekt dhe duhet të shohim përpara për të vazhduar bashkëpunimin me axhendat e përbashkëta të dy vendeve tona dhe bashkëpunimi është thelbësor në demokraci”.

Gjatë vizitës së tij zyrtare në Londër, Meta zhvilloi edhe një takim me Shefen e Departamentit për Ballkanin Perëndimor dhe Zgjerimin në Ministrinë e Jashtme Britanike, ish-Ambasadoren Britanike në Shqipëri, Fiona Mcilwham.
Meta vlerësoi bashkëpunimin e ngushtë me Britaninë e Madhe në fushat e drejtësisë, sigurisë, antiterrorizmit, luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, duke theksuar se Shqipëria mbështetet tek partneriteti me Britaninë e Madhe për zhvillimin e saj demokratik dhe ekonomik në të ardhmen.
Fiona McIlwham vlerësoi bashkëpunimin e mirë bilateral dhe nënvizoi se rritja e shkëmbimeve politike kontribuon në rritjen e cilësisë së marrëdhënieve mes dy vendeve.

Mcilwham u shpreh se reforma në drejtësi është një projekt ambicioz dhe tepër i nevojshëm për kredibilitetin e Shqipërisë në botë dhe theksoi se suksesi i zbatimit të saj është i rëndësishëm edhe për progresin e axhendës së reformave të tjera të rëndësishme për të ardhmen.

Në përfundim, duke diskutuar mbi zhvillimet e fundit në rajonin e Ballkanit, Meta u shpreh se Shqipëria po punon ngushtë me të gjithë fqinjët e saj për të konsoliduar integrimin rajonal dhe në funksion të konsolidimit të axhendës euro-atlantike të të gjithë rajonit.

Ndërkaq, gjatë vizitës së tij në Londër, Ilir Meta dhe delegacioni që e shoqëron atë ishin të ftuar në një drekë pune me anëtarë nga të dy dhomat e Parlamentit britanik. Të pranishëm ishin Lord McNally, Lord Harrison, Deputetët Lisa Cameron dhe Wayne David si dhe Kryetari i Komisionit të Brendshëm, Tim Loughton.

Gjatë drekës u diskutua u diskutua mbi reformën në drejtësi, marrëdhëniet bilaterale, forcimi i bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe. Gjithashtu, u vlerësua krijimi i Grupit Parlamentar të Miqësisë me Shqipërinë në Parlamentin Britanik, i cili do të drejtohet prej Deputetes Madeleine Moon dhe Lord Bowness.

Top Channel