Dibra shkund Tiranën. Reagimit të demokratëve, Rama i përgjigjet…ndryshe

13/09/2016 00:00

Një ndryshim në ligjin për luftën kundër drogës u dha mundësinë demokratëve të denoncojnë në komision, atë që e quajnë kartel të drogës dhe korrupsionit qeveritar. Shembulli i Arben Ristanit ishte Dibra.

“Shqetësimi i madh i fshatarëve ishte që nuk shkonin dot në mal për të prerë dru, sepse bandat e trafikut të drogës nuk i linin. Shqetësimi i dytë ishte se nuk vadisnin dot fushat me ujë, sepse ujit i ishte ndërruar rrjedha për të shkuar në arat e drogës”, tha Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Arben Ristani.

Edhe Flamur Noka në Komisionin e Sigurisë, për të njëjtin ligj solli si shembull Dibrën.

“Shko në fshatin Erebarë, sipër shkëmbit atje. Dibrat po na dëgjojnë dhe e dinë. E dini sa ishin parcelat e kanabisit të shefit të komisariatit? 12 dynymë! Hashashi ishte pyll atje dhe kishte lënë një punonjës policie të armatosur atje, që ta ruante. E korri të nesërmen që shkova e pashë unë”, tha Flamur Noka.

Zyrtarisht, Partia Demokratike thotë se vota në Dibër u ble sipas një mekanizmi të mirëllogaritur dhe të mirorganizuar të strukturave qeveritare, vendore dhe kriminale.

“Ky grup i strukturuar kriminal ka ndarë milionat që duheshin, njerëzit që do të kryenin operacionin, duke llogaritur e paracaktuar blerjen e votave sipas çdo qendre votimi. Mbi bazën e parave të hedhura, ata e dinin sesa vota kishin marrë”, tha Oerd Bylykbashi.

Pasojat e kësaj skeme, demokratët i lidhin me zgjedhjet e ardhshme.

“Dibra është prova se zgjedhje të lira me Edi Ramën kryeministër dhe kartelin e tij të drogës, krimit dhe korrupsionit, nuk mund të ketë sot, në vitin 2017 dhe kurdo”, theksoi Bylykbashi.

Edi Rama, i cili falënderoi grupin parlamentar, nuk komentoi me fjalë asnjë nga akuzat. Por një reagim e bëri, duke qeshur.

Top Channel