Shkolla hapet edhe në burg, të miturit e dënuar mësojnë shkrim e lexim

13/09/2016 19:50

Shumica e tyre e ka braktisur herët shkollën dhe e vetmja gjë që kanë marrë prej saj është leximi i emrit.

Të kthyer në hajdutë apo edhe autorë krimesh të tjera, këta djem nga 14 deri në 18 vjeç po vuajnë dënimet përkatëse në Institutin e të Miturve Kavajë, ku edhe po tentohet që të riintegrohen.

Rruga nga qelia në klasa është një korridor ku djemtë e sektorëve të veçuar, sipas grupmoshave, tokin duart sipas mënyrës së tyre.

Këtë vit, janë 16 të dënuar që do të jenë nxënës të grupuar në 4 klasa kolektive. Librat janë dhuratë nga burgu. Dy 17-vjeçare duhet të ishin në gjimnaz tashme, por për shkak se e kanë braktisur shkollën vite më parë pas arrestimit për vjedhje i rikthehen ciklit të ulët në klasën e pestë. Ata lexojnë me vështirësi.

Jashar Ceka nga 2009 mëson të miturit e dënuar në këtë burg.

TCH: Si e vlerësoni ju se në çfarë klase duhet të jenë këta nxënës?

Mësuesi, Jashar Ceka: Ne kërkojmë dokumentin, konfirmimin në cilën klasë dhe me rezultatet e atij viti shkollor ku ata e kanë ndërprerë mësimin.

Ronaldo Koka, 16 vjeç, i arrestuar për armëmbajtje, megjithëse thotë me mburrje se ka emër futbollisti, nuk pati asnjëherë mundësinë të merrej me sport. I rritur në një familje pukjane me probleme të forta ekonomike, kur ra për herë të parë në burg ishte aq i vogël sa të tjerët e thërrisnin “çerri”.

Kështu iu desh t’i bindej kësaj nofke të ngjitur nga shokët edhe në mur. Por, ai ka një kënd të vetin ku për çdo ditë që ikën ka një kalendar personal.

Ronaldo është në klasën e tetë, me të tjerë si ai, që japin e marrin nga jeta e njëri tjetrit.

TCH: Je i vendosur që të vazhdosh më tej?

Ronaldo Koka: Nuk e di, njëherë dua të mbaroj 9-vjeçaren, nuk e di për më tej. Edhe këtu mëson shumë gjëra. Mëson që nuk duhet të bësh më gabime, ka shumë gjëra.

Top Channel