“Trump Int. Hotel ” pranë Shtëpisë së Bardhë. Vlera, 200 milionë dollarë

13/09/2016 00:00

Kandidati republikan për president, Donald Trump po gjen çdo mundësi për t’iu afruar sa më shumë Shtëpisë së Bardhë. Miliarderi sapo përuroi një tjetër hotel luksoz të linjës “Trump International”, vetëm 5 blloqe ndërtesash larg shtëpisë presidenciale.

Vlera e rikonstruktimit të asaj që ka qenë godinë zyrtare, e ndërtuar në vitin 1899, arrin në 200 milionë dollarë, investim për të cilin u deshën dy vite për ta përfunduar.

Hoteli është luksoz , i shtrenjtë dhe kushton gati gjysmën e vlerës që ka Shtëpia e Bardhë. Lejen për ndërtimin e tij, Donald Trump e ka marrë në vitin 2014, një vit përpara se të fillonte fushatën presidenciale.

Por nuk dihet nëse përzgjedhja e vendit ka qenë e mirëmenduar: afrimi sa më shumë me Zyrën Ovale të Shtëpisë së Bardhë.

E ndërsa stafi dhe të ftuarit morën pjesë në një ceremoni modeste, dhjetëra protestues u mblodhën jashtë dyerve të ndërtesës. Ata protestuan kundër murit që republikani ka deklaruar se do të ndërtojë në kufi me Meksikën.

Megjithatë dhjetëra të tjerë vizituan ambientet e hotelit për të darkuar apo për të pirë diçka. “Do të shkoj të pi një gotë vere ‘Trump’”, tha Hedlund, i cili shtoi se mbështet kandidaturën e tij për president.

Hoteli ka 263 dhoma, përfshirë edhe një suitë që kushton 20 mijë dollarë nata. Muajin e ardhshëm, “Trump International Hotel” do të organizojë një ceremoni madhështore. E megjithëse, emri i tij është më shumë i prekshëm në Nju Jork, ku është e ndërtuar dhe “Kulla Trump” apo kursi i golfit “Bronx”, hoteli më i ri ka rritur praninë e tij edhe në Uashington. Edhe pse ka zëra se Donald Trump është i zhytur në borxhe, ky superinvestim tregon të kundërtën.

Top Channel