SHBA-Izrael, marrëveshje rekord ndihmash ushtarake

13/09/2016 00:00

Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli kanë arritur marrëveshjen përfundimtare mbi një paketë të re rekord, prej të paktën 38 miliardë dollarësh ndihmash ushtarake, një pakt 10-vjeçar që pritet të nënshkruhet më vonë gjatë kësaj jave. Lajmi bëhet i ditur nga burime të agjencisë “Reuters”.

Marrëveshja përfaqëson angazhimin më të madh të ndihmës nga ushtria amerikane, të bërë ndonjëherë kundrejt një vendi tjetër, por përfshin gjithashtu edhe lëshime tepër të rëndësishme nga kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, sipas zyrtarëve nga të dyja palët e përfshira.

Mes lëshimeve është edhe akordi i Izraelit për të mos kërkuar fonde shtesë nga Kongresi, përtej atyre që do të garantohen çdo vit sipas paketës së re, si dhe heqjen e një marrëveshjeje speciale që e lejonte Izraelin të shpenzonte një pjesë të ndihmës amerikane mbi industrinë e saj të mbrojtjes, në vend që të kontribuonte për armët e prodhimit amerikan, thonë zyrtarët.

Kryenegociatori izraelit, Jacob Nagel, i cili është edhe kreu në detyrë i Këshillit Kombëtar të Sigurisë në Izrael, mbërriti në Uashington gjatë paradites së të martës për t’u përgatitur për ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes rekord me këshilltaren mbi Sigurinë Kombëtare në SHBA, Susan Rice.

Negociatat thuajse 10-mujore për të përgatitur paketën e re të ndihmës kanë shfaqur në vijimësi ndarjen mes presidentit amerikan Barack Obama dhe kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, kryesisht mbi arritjen e marrëveshjes bërthamore të vitit të kaluar me Iranin, armikun kryesor të Izraelit në rajonin e Lindjes së Mesme, nën udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara.

Megjithatë, udhëheqësi i së djathtës në Izrael vendosi se do të ishte më mirë të hartohej një marrëveshje e re me Obamën, i cili do të largohet nga Shtëpia e Bardhë në janar, sesa të shpresonte për kushte më të mira nga administrata e ardhshme e Shteteve të Bashkuara. Marrëveshja e re i lejon atij të shmangë paqartësitë në lidhje me presidentin e ardhshëm amerikan, qoftë demokratja Clinton apo republikani Trump, si dhe i ofron Izraelit mundësinë për të planifikuar mbrojtjen në të ardhmen.

Top Channel