“Luftë” mes këngëtarëve në Prishtinë, plagoset Noizy

13/09/2016 00:00

Amerika e viteve ‘80-‘90, ku grupet e hip-hopit ishin në luftë mes tyre, tashmë duket se po kopjohet në Shqipëri e Kosovë. Në 20-vjetorin e vdekjes se ikonës se repit botëror, Tupac Shakur, Prishtina është shndërruar në arenë e përplasjes me armë mes grupeve rivale OTR dhe Babastars.

Mediat në Kosovë bëjnë të ditur se këngëtari Noizy dhe grupi i tij janë përplasur me armë në një nga hotelet luksoze të Prishtinës me kundërshtarët e tyre të grupit Babastars.

Fillimisht dyshohet se konflikti ka nisur në hollin e hotelit, ku anëtarët e OTR janë përplasur me “Skivin”, një prej këngëtarëve të Babastars. Pas kësaj, ky i fundit ka njoftuar miqtë e tij, mes tyre dhe këngëtari Cozman.

Raportohet se gjatë konfliktit janë përdorur edhe arme dhe një prej personave të pranishëm, ka mbetur i plagosur, ndërsa Cozman, së bashku me vëllain e tij dhe një tjetër person janë shoqëruar në polici.

Noizy ka mbërritur në spital me plagë në kokë, ndërkaq, Policia e Kosovës është duke vijuar hetimet për zbardhjen e plotë të dinamikës së kësaj ngjarjeje.

FOTO GALERI
1/8

Top Channel