Kosovë, mungesa e dialogut të brendshëm rrezikon proceset politike

13/09/2016 00:00

Analistët në Kosovë thonë se, në vend mungon dialogu i brendshëm politik, i cili do të trajtonte temat e interesit kombëtar. Ndër temat kryesore që do të përfshiheshin në dialog, me qëllim arritjen e një konsensusi të përgjithshëm, përmenden bisedimet me Serbinë dhe të gjitha marrëveshjet që prodhojnë ato, e më pas marrëveshjet e tjera ndërkombëtare, siç ishte rasti i Demarkacionit me Malin e Zi, integrimi europian, si dhe formimi i Forcave të Armatosura, reformat zgjedhore e kushtetuese, e të tjera.

Për analistin Driton Selmanaj, dialogu i mirëfilltë politik në Kosovë ka munguar prej 15 vitesh. Kjo mungesë, sipas tij vjen si pasojë e varësisë së klasës politike nga faktori ndërkombëtar, i cili ka qenë shumë aktiv në vitet e para të pasluftës, si dhe nga mungesa e vullnetit për dialog te spektri politik i Kosovës.

Ai thekson gjithashtu se ka një mungesë të një kulture politike, e cila për pasojë sjell fenomenin e transformimit të kauzave të vogla në kauza të mëdha kombëtare, të cilat nuk marrin përgjigje e as zgjidhje.

Ndërkaq, nisur nga rasti i dialogut të munguar për Demarkacionin me Malin e Zi, që çoi në tensione të shumta politike për një vit rresht, Driton Selmanaj thotë se, si pushteti, ashtu edhe opozita nisen nga kërkesat maksimaliste, të cilat që në fillim duken të pashpresa se do të përfundojnë me ndonjë rezultat.

“Nuk mund të bëhet kompromis, nëse të dyja palët janë të bllokuara që në fillim në pozicione të ngurta. Mendoj se do të duhej të kishte kërkesë të sinqertë dhe të shfaqet gatishmëria për diskutim të dilemave, të cilat i kanë të dyja palët, e më pas të provohet të gjendet zgjidhja”. “Deri më sot, pothuajse të dyja palët kanë thënë ‘hajde të bëjmë bisedime, por ashtu siç themi ne’. Të dialogosh do të thotë që secila palë të dëgjojë palën tjetër dhe më pas të arrihet një përfundim”, thekson Selmanaj.

Mostrajtimi i problemeve politike, qoftë në kuadër të institucioneve, siç është Kuvendi, apo forumeve e nismave të tjera, sipas analistëve po rrezikon jo vetëm proceset politike, por edhe vet gjendjen e përgjithshme të sigurisë në vend, duke u bërë potencial i tensioneve të panevojshme.

Ndërsa analisti Belul Beqaj thotë se, Kosova po zhvillon bisedime prej një kohe të gjatë me Serbinë, të cilat nuk po sjellin ndonjë përfundim të qartë. Ndaj sipas tij do të duhej detyrimisht të hapej edhe një dialog i brendshëm politik, i cili do t’i trajtonte çështjet e interesit kombëtar.

Fakti që prej një viti në Kosovë është thelluar ndasia, janë thelluar pakënaqësitë politike, të shoqëruara edhe me rritje të tensioneve, e bën edhe më të nevojshëm vendosjen e dialogut, thotë Beqaj. Fillimisht nevojitet për një dialog, i cili do të ishte në funksion të uljes së tensioneve.

“Unë mendoj se tensionet e larta mund të përfundojnë me konflikte, prandaj si rezultat konkret i dialogut do të ishte vetëm çtendosja e tensioneve, të cilat janë ngritur brenda një periudhe relativisht të gjatë”, thotë Beqaj.

Një përmasë tjetër e dialogut të brendshëm politik në Kosovë është ajo e vendosjes së një komunikimi me përfaqësuesit e komuniteteve, sidomos atij serb, për shkak se shumë procese kërkojnë domosdo edhe votën e minoriteteve në Kuvend, siç është rasti me formimin e Forcave të Armatosura të Kosovës dhe ndryshimet kushtetuese në përgjithësi.

Përveç çështjeve të ndjeshme politike, mungesa e dialogut, nga shumë njohës të zhvillimeve të brendshme politike është vlerësuar si pengesë e përparimeve të Kosovës në zhvillimin e reformave kushtetuese dhe atyre zgjedhore.

Top Channel