Pirlo zbulon: Refuzova Interin për SHBA-të. Juvja, pa rivalë

13/09/2016 00:00

Shtetet e Bashkuara e “thirrën” në vitin 2015 pasi e ardhurojnë, ndërsa fanella e Neë York Cityt me emrin e tij është më e shitura në kampionatin amerikan të futbollit. Megjithatë, Andrea Pirlo nuk e harron Italinë dhe e ndjek ende nga larg.

Bardhëzinjtë e Juventusit dhe kombëtarja duket se do të mbeten përjetë në zemrën e tij.

“Serie A është bërë si kampionati francez. Juventusi luan pa asnjë rival, është kthyer si PSG-ja”, ka thënë mesfushori breshan për mikrofonët e “Sky Sport”. Sa i përket shitjes së Pogbasë te Manchester United, ai nuk ka aspak dyshime. “Është një zgjedhje e duhur, duke parë blerjet e bëra”.

“Zonja e Vjetër” mbetet ende favoritja kryesore edhe për këtë vit në kampionatin italian, pasi sipas ish-fantazistit të bardhezinjve nuk ka rivalë, të paktën në letër. “Pas një fushate tepër të bujshme blerjesh në merkato, besoj se Juventusi është ndërtuar tashmë për të fituar gjithçka. Serinë A, ata e shohin si aktorë të jashtëm”.

“Vitin e kaluar kam pasur kontakte me Interin, por preferova qëndrimin në SHBA”, rrëfen më pas Pirlo. Ideja e një rikthimi te zikaltrit pas 17 vitesh për breshanin, mbeti veçse një ëndërr e vjetër në ambientet e “Appiano Gentile”-s.

“Pati një tentativë, por pas zgjedhjes që bëra pak vite më parë nuk ishte e drejtë të rikthehesha në Itali”. Ndërsa për ndryshimin e pronarëve të dy skuadrave milaneze, për të cilat është aktivizuar në të kaluarën, ai shprehet se “i vjen keq që Berlusconi dhe Moratti janë larguar, sepse ishin një e mirë për futbollin”. “Kinezët? Le të shohim nëse janë në gjendje të ringrejnë këto dy shoqëri tepër të famshme për atë çfarë kanë bërë ndër vite”.

Për “axurrët” e drejtuar tashmë nga Ventura pas largimit të Contes, ish-numri 21 shprehet se “loja e tij është e ngjashme me atë të paraardhësit të tij. Kombëtarja ka disa të rinj në gjirin e saj, shumë të zotë, por që duhet të tregojnë ende vlerat e tyre. Shpresoj që të arrijnë rezultate pozitive”.

Top Channel