Kontrolli i inspektorateve, USAID ndërton portalin, por ata nuk e përdorin

13/09/2016 00:00

USAID ka financuar rreth 500 mijë dollarë për pajisje portabël që u mundësojnë inspektorateve kryerjen e inspektimit online në portalin “E-Inspektimi”.

Por asnjë nga 6 Inspektoratet Shtetërore që kanë akses në portal, nuk i kryejnë inspektimet online, çka do të ishte një mënyrë e mirë për të rritur transparencën dhe ulur nivelin e korrupsionit.

“Fakti është që në perceptimin e njerëzve ka ende mungesë shërbimi, ka ende perceptim korrupsioni dhe kjo duhet të ndryshojë sa më shpejt”, tha ministrja Harito.

“Presim të shohim suksesin e përdorimit të këtyre mjeteve. Ato ju duhen për të përmirësuar punën por ne duam të shohim rezultatin”, u shpreh Klare Masson, përfaqësuese e USAID.

E që inspektoratet të japin ndonjë rezultat, në krye të tyre është zgjedhur si kryeinspektor Shkëlqim Hajdari, ish prokurori rebel që dha dorëheqjen pas përplasjeve publike me prokurorin e përgjithshëm, Adriatik Llalla.

“Kam pranuar këtë detyrë sepse jam i bindur se edhe inspektimi ne Shqipëri duhet të bëhet pjesë e një reforme shumë të thellë, pasi trupat e inspektoriatit duhet te ngrihen ne nivelet e transparencës maksimale ne raport me publikun, me biznesin. Isha pjese e një reforme, dhashë kontributin tim në një periudhe prej një çerekshekulli. Gjërat janë publike, nuk i kthehemi së shkuarës, jam njeri që shoh para”, u shpreh Shkëlqim Hajdari.

Top Channel