Teuta, padi penale gjyqtarit. Klubi: Mori para nga Kukësi

13/09/2016 00:00

Gjyqtari Kridens Meta është fajtori kryesor për humbjen 3-0 të Teutës të hënën në Kukës. Ky është vendimi i marrë nga drejtuesit e klubit durrsak, të cilët kanë vendosur ta vënë përpara drejtësisë gjyqtarin Meta.

I kontaktuar në telefon nga Top Channel, presidenti i klubit Edmond Hasanbelliu pohoi se së bashku me avokatin e klubit po punojnë për të përpiluar akuzën ndaj arbitrit Meta dhe më pas do ta dorëzojnë në Prokurorinë e Durrësit.

Hasanbelliu pohoi se akuza do të jetë për marrje ryshfeti nga ana e arbitrit Meta.

Të hënën gjatë ndeshjes Kukësi-Teuta, në fillimin e pjesës së dytë, gjyqtari Meta akordoi një 11 metërsh të dyshimtë në favor të kuksianëve. Kjo penallti e shndërruar në gol nga Pero Pejic i hapi dhe rrugën e fitores 3-0 të Kukësit ndaj durrsakëve.

Top Channel