Futbolli nën hetim, pas UEFA-s, hapet procedimi për skandalin “Skënderbeu”

13/09/2016 00:00

Prokuroria e Tiranës ka regjistruar këtë të martë procedimin penal për çështjen “Skënderbeu”, e cila do të hetohet nga njësia Task Forcë mbi dyshimet e paracaktimit të rezultateve në garat sportive.

Pak ditë më parë UEFA publikoi raportin e inspektorëve të Komisionit të Etikës dhe Disiplinës në të cilin shkruhej se gjatë viteve të fundit Skënderbeu ka manipuluar mbi 50 ndeshje, 41 prej të cilave në aktivitetet futbollistike në Shqipëri.

Madje në këtë raport binte në sy dhe emri i ish-ministrit të Financave, Rivdan Bode, i cili sipas tyre, së bashku me presidentin aktual Ardijan Takaj dhe ish-presidentin Agim Zeqo, janë personat kryesorë të klubit të lidhur me bastet.

Në raportin e hetuesve të UEFA-s, i cili ishte mbi 30 faqesh shkruhej se integriteti i ish-ministrit Bode vihej në pikëpyetje pas privatizimit të lotarisë kombëtare dhe hetimit për fshehje të borxhit kombëtar.

Në të njëjtin raport theksohej se Ardjan Takaj, me një të shkuar të pastër, është qendra e komplotit dhe se ai ka patur lidhje direkte dhe indirekte me kompanitë e basteve në vend.

Top Channel