Armëpushimi në Siri, qetësia mbizotëron në front

13/09/2016 00:00

Ndalimi i luftimeve në Siri pas armëpushimit që hyri në fuqi të hënën në mbrëmje, duket se po respektohet.

Pakti, i negociuar nga SHBA dhe Rusia u cilësua nga Sekretari amerikan i Shtetit si shansi i fundit për të shpëtuar një Siri të bashkuar.

Mediat raportojnë se banorët në qytetin e Alepos thonë se situata është e qetë dhe nuk ka luftime apo bombardime.

Kjo konfirmohet edhe nga Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut që bëri me dije se thuajse në të gjitha vijat e frontit ka qetësi. Megjithatë, nuk mungojnë as raportet për sulme sporadike te qeverisë apo rebelëve edhe pas hyrjes në fuqi të armëpushimit.

Ushtria siriane tha se do të respektojë armëpushimin për shtatë ditë në të gjithë Sirinë, por theksoi se rezervon të drejtën që ti përgjigjet fuqishëm çdo shkelje të tij. Një numër i konsiderueshëm grupesh rebele e kanë mirëpritur marrëveshjen, por shprehën rezerva për implementimin e saj.

Një pjesë e rebelëve mendojnë se armëpushimi shkon në favor që forcave qeveritare, të cilat gjatë javëve të fundit nuk kanë shënuar progres në terren.

Pakti për armëpushimin parashikon edhe dërgimin e ndihmës në zonat e rrethuara, por ky proces nuk ka nisur ende. Grupet humanitare shpresojnë që të lejohen sa më shpejt që të nisin karvanët e tyre me ndihma në zonat e goditura më rëndë, sidomos në qytetin gërmadhë të Alepos.

Top Channel