Rama: Faleminderit! Detyrim ndaj dibranëve

12/09/2016 00:00

Kryeministri Rama, me anë të një postimi në “Facebook”, ka falenderuar zgjedhësit dibranë për besimin e dhënë ndaj kandidatit të ASHE, Muharem Rama, me votën e tyre.

“Fjalët e tepërta janë vërtet fukarallëk, nën dritën e rezultatit kuptimplotë të zgjedhjeve të Dibrës! I falenderoj me gjithë zemër, një për një, të gjithë zgjedhësit dibranë, për besimin e jashtëzakonshëm që na dhanë, përmes votës për kryebashkiakun Muharrem Rama. Dhe dëshiroj të nënvizoj se këtë fitore të madhe, unë e lexoj mbi të gjitha si një detyrim shumë të madh ndaj dibranëve”, shkruan Rama.

Kryeministri shkruan se fitoren e madhe në Dibër, e sheh si detyrim të madh ndaj dibranëve.

“Me mirënjohje të thellë, angazhim të madh e përunjësi në detyrë, ne do të bëjmë çmos të jemi në lartësinë e nderit të posaçëm që na bëri Dibra, me besimin e paçmueshëm që na dha sot!”, përfundon postimi i Kryeministrit.

Top Channel