Universitetet, Nikolla mbron skemën e re, Duma: Ka dështuar

12/09/2016 00:00

Skema e re e pranimit në universitete ngjalli protesta të maturantëve që ishin lënë jashtë studimeve në raundin e parë të saj. Por si funksionon kjo skemë dhe çfarë nuk shkonte me skemën e vjetër?

E ftuar në Top Story këtë të hënë, ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla sqaroi se ndryshimi i skemës lindi së pari si nevojë për t’u përshtatur me ligjin e ri dhe për të garantuar, sipas saj, meritokracinë dhe transparencën.  

“Ligji i ri kërkon një skemë të re të pranimeve në universitet edhe në funksion të zgjerimit të autonomisë universitare. Është një proces që ka patur rrugëtimin e tij, qëkur kjo qeveri erdhi në krye të vendit. Premtuan që matura nuk do të kishte peshën kryesore për studimet e larta, por një skemë e re siç është në vendet europiane që e kanë arsimi cilësor. Nuk ndodh në asnjë vend që të jetë Ministria e Arsimit ajo që përcakton dhe bën përzgjedhjen e aplikantëve për të vijuar arsimin e lartë”, tha Nikolla.

Por çfarë nuk funksiononte tek skema e vjetër?

“Në skemën e vjetër zgjedhja ishte e përcaktuar në bazë të alternativave, që në të vërtetë ishte një akt që përmbyllej me plotësimin e formularit me 10 lëndë, më pas pa transparencë ky proces vijonte. Sot nuk kemi zgjedhje vertikale, por një situatë horizontale, ku secila nga preferencat është në dispozicion të fituesit. Në skemën e vjetër fituesit nuk kishin mundësi që nëse fitonte një alternativë të kthehej prap mbrapsht, por ishte i detyruar të ecte përpara me atë që kishte plotësuar. Tani promovohet ekslenca”, deklaroi ministrja e Arsimit.

Por opozita këmbëngul se skema e re nuk granton ekselencën dhe centralizon përzgjedhjen. Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun në Partinë Demokratike, Grida Duma tha se skema e re ka lënë jashtë maturantë me mesatare më të lartë. 

“Qëndimi i opozitës është qëndrim koherent me problemin real. Problemi është që maturantë me mesatare më të lartë janë lënë jashtë”, tha ajo.

Duma akuzoi Ministrinë e Arsimit se ka ndryshuar rregullat e lojës pa u dhënë kohë maturantëve që të njihen me rregullat e reja.

“Rregullat janë ndryshuar në mes të rrugës, maturantët kanë mësuar vetëm vitin e fundit për lëndët që përcaktojnë pikët e tyre në konkurrim. Kanë hyrë në provim në maj me rregullat që janë vendosur në muajin mars”, u shpreh Duma.

Duma akuzoi se me anë të një vendimi të Këshillit të Ministrave të qershorit të këtij viti u është hequr autonomia universiteve për të përllogaritur dhe interpertimin e lëndëve për maturantët dhe procesi është centralizuar në dorën e Ministrisë së Arsimit.

Ministrja Nikolla mohoi këtë akuzoi duke u shprehur se rankimin dhe përllogaritjet e pikëve për konkurrentët janë bërë nga fakultetet përkatëse.

Ministrja Nikolla tha se ky është një sistem më i mirë sesa sistemi i parë dhe këshilloi maturantët që të plotësojnë me kujdes formularin në fazën e dytë për të mos humbur asnjë mundësi.

“Faza e dytë vijon në varësi të një analize dhe të përgjegjësisë që duhet të tregojnë maturantët për të mos humbur asnjë mundësi. Në fund të raundit të dytë janë institucionet e arsimit të lartë që bëjnë plotësimin e vendeve”, tha Nikolla.

Por për Grida Dumën dëmi është bërë.

“Lëndët që kanë penalizuar dhe janë futur në sistem në këtë mënyrë do të penalizojnë edhe në raundin e dytë. Padrejtësia është bërë me ato lëndë që maturantët nuk kanë qenë në dijeni. Përsëritja e të njëjta rregullave do të prodhojë të njëjtat padrejtësi”, tha ajo.

Ministrja tha se edhe në fund të raundit të dytë do të ketë vende të lira dhe tha se asnjë prej maturantëve që kanë konkurruar për universitet nuk do të lihet jashtë, pasi kuotat janë më të mëdha se numri i aplikantëve.

Opozita shprehet skeptike dhe thotë se ka vetëm një zgjidhje.

“Të pranohet që kjo formulë ka dështuar dhe të kthehemi tek skema e vjetër”, tha Duma.

Top Channel