Partizani “ngec” ndaj Vllaznisë

12/09/2016 00:00

Partizani nuk ka mundur të shkojë më shumë se një barazim pa gola në ndeshjen ndaj Vllaznisë të zhvilluar këtë të hënë në “Elbasan Arena”.

Edhe pse dominuan për 90 minuta ndeshjen, të besuarit e trajnerit italian Sormani nuk arritën të shënonin të paktën një gol në portën e Vllaznisë, e cila diti të mbrohej mirë dhe duket se është kënaqur me një barazim ndaj nënkampionëve të Shqipërisë, ku rastin e vetëm e regjistroi në minutën e 88 me anë të Vrapit, por edhe kjo goditje e mbrojtësit përfundoi mbi traun e portës së mbrojtur nga Hoxha.

Pas dy ndeshjeve të para, Partizani ndodhet në kuotën e 4 pikëve po aq sa Kukësi, ndërsa renditja udhëhiqet nga Skënderbeu me 6 pikë të plota, i vetmi ekip që ka arritur t’i fitojë të dyja ndeshjet e para.

Javën e ardhshme, Partizani do të udhëtojë për në Durrës, ku do të ndeshet me Teutën vendase, që po këtë të hënë u mposht thellë 3-0 në Kukës.

Top Channel