Gara dhe shëndeti, pas sëmundjes së Clinton, Trump do publikojë raportin mjekësor

12/09/2016 00:00

Kandidati republikan Donald Trump  do te publikojë shumë shpejtë rezultatet e ekzaminimit të tij të plotë shëndetësor, vetëm një ditë pasi kundërshtarja në garën presidenciale, Clinton u diagnostikua me pneumoni.

“Javën e shkuar bëra një kontroll mjekësor dhe do ta publikoj shumë shpejt”, tha Trump në një intervistë për “Fox News”.

Disa javë më parë mjeku i Trump publikoi një raport mjekësor të kandidatit republikan, i cili e përshkruante gjendjen fizike të republikanit si të mrekullueshme. Më pas doktor Harold Bornstein, tha se iu deshën vetëm 5 minuta për ta shkruar atë raport dhe kjo gjë ngjalli debat në kampin kundërshtar duke e quajtur atë “një copë letre të pavlerë”.

Ndërkohë, miliarderi dhe fushata e tij kanë qenë gjithmonë skeptik sa i përket gjendjes shëndetësore të Hillary Clinton dhe kanë vënë në dyshim aftësinë e saj fizike për të qenë në krye të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Megjithatë këtë herë, Donald Trump uroi që Clinton të bëhet mirë dhe se shpreson që të jetë në debatin final përballë saj. I pyetur nëse mendonte që kampi demokrat do e zëvendësonte Clinton me një figurë tjetër, ai tha që nuk beson diçka të tillë.

Një ditë pasi nuk u ndje mirë dhe u largua më shpejt nga ceremonia e zhvilluar për nder të viktimave të 11 shtatorit 2001 në Nju Jork, kandidatja demokrate Clinton anuloi një udhëtim fushate në Kaliforni.

Publikimi i të dhënave shëndetësore të kandidatëve për presidentë është kthyer më shumë në një traditë sesa është e detyrueshme si procedurë. Në vitin 2008, Barack Obama, publikoi një raport të gjatë shëndetësor, ashtu sikurse si kundërshtari i tij i atëhershëm, 71-vjeçari John Mccain.

Top Channel