Një tjetër megastrukturë ‘aliene’

12/09/2016 00:00

Një vit më parë shkencëtarët zbuluan një fenomen të çuditshëm dhe të pashpjegueshëm në yllin “KIC 8462852”. Sipas këtij zbulimi, ylli në fjalë humbet rreth 25 përqind të rrezeve të tij në mënyrë sistematike një herë në disa vite.

Në mungesë të teknologjisë së nevojshme për ta vëzhguar dhe kuptuar më mirë këtë dukuri, astronomët, fizikantët dhe shkencëtarë të fushave të ndryshme dolën me një teori të përbashkët dhe mbizotëruese; rreth yllit “KIC 8462852” orbiton një megastrukturë aliene me panele diellore që përthith energjinë e tij.

Që prej zbulimit, teleskopët janë drejtuar rreth këtij sistemi për të kapur ndonjë risi, por misteri është thelluar akoma më shumë me zbulimin e një tjetër ylli të ngjashëm që ‘sillet akoma më çuditshëm” sesa “KIC 8462852”.

Ylli “EPIC 204278916”, jo vetëm humbet rrezatimin e tij, por e bën këtë në masë më të madhe dhe në periudha kohore më të vogla sesa “KIC”.

“EPIC” humbet rreth 65 përqind të dritës çdo 25 ditë, thonë studiuesit e teleskopit Kepler, që vëzhguan sjelljet dhe kryen matjet për 80 ditë me radhë. Ajo që habiti astronomët është fakti që ky yll humbet më shumë se gjysmën e rrezatimit çdo 25 ditë dhe më pas rikthehet sërish në gjendjen normale.

Nga ky vëzhgim, ata i janë drejtuar teorisë së përmendur për yllin “KIC”, pra për një megastrukturë aliene që orbiton rreth yllit dhe shfrytëzon rrezatimin e tij për energji.

Top Channel